PD: Vendi nën ujë, Rama në SHBA. Akuza edhe ndaj Veliajt

06/01/2016 00:00

Arben Ristani, Sekretar i Përgjithshëm i PD-së, lëshoi akuza ndaj kryeministrit Edi Rama, që sipas demokratëve, duhet të ishte në krye të punëve për përbmytjet dhe jo në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për udhëtime qejfi siç theksoi Ristani.

“Edi Rama ka nisur të frekuentojë ndeshje baskebolli në kampionatin më të shtrenjtë të botës, atë të NBA. Sot shqiptarët morën vesh që gëzimi i Ramës ishte një ndeshje baskebolli në Majemi në vijën e parë, aty ku bileta është miliona lekë”, deklaroi Sekretari i Përgjithshëm i PD-së, Arben Ristani.

Gjatë mbrëmjes të së mërkurës, deputetë të Partisë Demokratike dhe këshilltarë të Këshillit Bashkiak kanë parë nga afër situatën në zona të ndryshme të qytetit të Tiranës.

Ata kërkuan ndërhyrjen e menjehërshme për t’u adhur në ndihmë banorëve, si edhe akuzuan kryebashkiakun Veliaj që është nisur me pushime në Sri Lanka sipas tyre, ndërsa Tirana përmbytet.

Myqerem Tafaj, deputet i PD-së: Para një muaji e gjysëm të gjitha familjet kanë qenë shumë të rrezikuara dhe sot janë akoma më të rrezikuara. Po shembet dheu. Lumi po i merr banesat. Duhet të evakuohen sa më shpejt familjet qe janë këtu, pasi nuk ka asnjë lloj sigurie në radhë të parë për jetën.

Gert Bogdani, deputet i PD-së: Kur vjen puna për t’i rritur taksat, për t’i rritur dritat, për t’i marrë lekët qytetarëve këtë gjë e bëjnë me vrap. Ndërsa, kur vjen puna për t’i bërë shërbimet njerëzve, qytetarëve dhe banorëve të Tiranës, këtë gjë nuk e bëjnë asnjëherë.

Top Channel