SHBA, mes Arabisë dhe Iranit; Kerry: Ulni tensionet!

06/01/2016 00:00

Shtetet e Bashkuara po përpiqen të qetësojnë konfliktin saudito-iranian, e për këtë arsye, kryediplomati John Kerry u ka telefonuar në mënyrë të vazhdueshme zyrtarëve të lartë të të dy vendeve, duke u kërkuar të përpiqen ta zgjidhin ngërçin e tyre diplomatik.

Nga sa sqaroi zëdhënësi i Departamentit amerikan të Shtetit, John Kirby, bisedat telefonike përfshijnë ministrin e Jashtëm saudit e atë iranian, si dhe zëvendësin e Princit trashëgimtar të kurorës.

Kerry, – sipas zëdhënësit, – ka këmbëngulur në rëndësinë e vazhdimit të përpjekjeve për një marrëveshje paqeje në Siri.

Çtensionimi i situatës, rikthimi i qetësisë, inkurajimi i dialogut dhe bashkëveprimit mes këtyre dy vendeve janë disa prej shqetësimeve kryesore të tij, tha Kirby. Por Kerry po përpiqet njëkohësisht të tregojë se, ka dhe çështje të tjera të ngutshme në rajon që kërkojnë zgjidhje, e në krye të listës së prioriteteve është vazhdimësia e procesit të Vjenës.

Nisma e bisedimeve të paqes për Sirinë nuk duhet të mbetet në vendnumëro, shtoi ai. Tensionet u përflakën mes dy vendeve pas ekzekutimit të predikuesit të njohur shiit, Nimr al Nimr në Arabinë Saudite.

Pas mësymjes së Ambasadës së tij në Teheran, Rijadi ndërpreu marrëdhëniet diplomatike me regjimin e Ajatollahëve e të njëjtën gjë bënë të hënën edhe dy aleatët e tij, Bahreini e Sudani.

Një ditë pas tyre, Kuvajti tërhoqi ambasadorin nga Teherani, me pretekstin se sulmi ndaj misionit diplomatik saudit ishte një shkelje “flagrante e rregullave ndërkombëtare”, në një kohë kur Teherani zyrtar thekson i zemëruar se, ai nuk kishte gisht në tubimet e dhunshme që pasuan ekzekutimin e klerikut.

Për ekspertët, kjo krizë e re reflekton edhe një herë fare qartë fragmentimin e thellë të Lindjes së Mesme, ndërsa vet zbatimin e dënimit me vdekje të al-Nimrit e shohin ndër të tjera si mesazh politik, që në politikën e jashtme përkthehet si sinjal i fuqisë dhe vendosmërisë.

Top Channel