Gjakovë, protestë kundër pelegrinëve serbë për Krishtlindjen ortodokse

06/01/2016 00:00

Një grup qytetarësh gjakovarë kanë protestuar mëngjesin e së mërkurës para kishës ortodokse të qytetit, duke kundërshtuar ardhjen e pelegrinëve serbë me rastin e Krishtlindjes ortodokse.

Policia e Kosovës ndërmori të gjitha masat për mbarvajtjen e vizitës së pelegrinëve serbë, duke i mbajtur protestuesit larg nga hyrja e kishës. Ata shoqëruan pelegrinët deri në vendin ku do të mbahej ceremonia, duke qenë se protestuesit brohorisnin kundër tyre duke hedhur vezë dhe sende të forta.

Qyteti i Gjakovës është një ndër qytetet me humbjet më të mëdha në njerëz gjatë luftës së fundit në Kosovë, shumica e të cilëve janë ende të zhdukur. Sanije Berisha, qytetare e Gjakovës, së cilës i ka mbetur i vrarë djali në atë luftë, tha se në Gjakovë ka ndodhur një Srebrenicë e dytë.

“Do të rri këtu. Ende nuk e dini qënë Gjakovë është përsëritur Sebrenica? Nuk i lejoj shkijet të kalojnë, sepse më kanë vrarë djalin 17-vjeçar”, ka thënë ajo për “Kosovapress”.

Kryetari i “Listës Serbe”, Slavo Simiç u shpreh i pakënaqur, që kjo vizitë u bë nën shoqërimin e policisë, ndërkohë që shtoi se Gjakova duhe të jetë një qytet shumetnik. Ndërsa lidhur me krimet në Kosovë, ai tha se fajin e kanë jo vetëm serbët, por edhe shqiptarët.

“Më duhet t’iu them se, për situatën e përgjithshme, për të gjitha ato që na kanë ndodhur viteve të kaluara, fajin e kanë të gjithë. Fajtorë janë si serbët, ashtu dhe shqiptarët. E di se ç’kanë përjetuar shqiptarët këtu në Gjakovë, por gjithashtu shqiptarët duhet ta dinë se ç’kanë përjetuar serbët në Gjakovë edhe në vendet e tjera. Edhe serbët duhet ta dinë se ç’kanë përjetuar shqiptarët në Gjakovë, në Prishtinë, në Gjilan, në Pejë dhe gjithkund në Kosovë. Vetëm me njohjen e realitetit mund të ecim përpara. Kush ka gabuar në të kaluarën duhet të përgjigjet, kush s’ka gabuar, ju lutem tregojuni të gjithëve se jemi pjesë e këtij qyteti”, tha Slavo Simiç, kryetar i “Listës Serbe”.

Komandanti i Policisë në rajonin e Gjakovës, Kristë Gjoka tha se, gjithçka ka shkuar pa incidente, duke konfirmuar se gjatë zhvendosjes së protestuesve është arrestuar një qytetar për prishje të rendit dhe të qetësisë publike.

“Gjithçka ka kaluar pa asnjë incident. Policia ka marrë të gjitha masat, për të siguruar lëvizje të lirë dhe gjithçka ka kaluar pa ndonjë problem të caktuar. Kemi pasur rreth 30 protestues, të cilët kanë protestuar për vizitën e tyre, megjithatë një qytetar është arrestuar për shkak të prishjes së rendit dhe qetësisë publike dhe janë marrë masat konform tij”, tha Kristë Gjoka.

Pas kryerjes së riteve fetare, pelegrinët serbë nën shoqërimin e Policisë së Kosovës janë larguar nga kisha, ndërsa të qetë janë shpërndarë edhe protestuesit.

Top Channel