PD, Duma: “Skavica”, një aferë. Cili gënjen mes Gjiknurit dhe Ahmetajt?

06/01/2016 00:00

Pas sqarimeve të një dite më parë të ministrit Damian Gjiknuri, për dhënien me koncesion të ndërtimit të hidrocentralit të Skavicës, demokratët deklaruan se ndihen të vërtetuar në paralajmërimet e tyre disa kohë më parë se, kjo është një aferë korruptive me një kompani turke, realizuar në një nga udhëtimet e kryeministrit Rama në Turqi.

Ministri i Energjetikes pohoi se, kompanisë i është dhënë 8 pikë bonus, çfarë sipas Grida Dumës, me fjalë të tjera do të thotë se, asaj i është paracaktuar të fitojë këtë tender.

Por përkundër ministrit Gjiknuri, që foli për procedurën e dhënies së koncesionit, Partia Demokratike publikoi një deklaratë mediatike të ministrit Arben Ahmetaj, ku ai artikulon emrin e kompanisë turke, që është afruar për koncesionin e Skavicës.

Mungesa e koordinimit të deklarimeve të dy ministrave, për opozitën është shenja e qartë e aferës me hidrocentralin e Skavicës.

“Rama duhet të ndajë mendjen, cili nga ministrat e tij gënjen. Ahmetaj që pranon se investitori është caktuar, apo Gjiknuri i cili mohon Ahmetajn, por thotë që investitorit i ka dhënë bonusin maksimal. Në fillim, kur Partia Demokratike paralajmëroi këtë negociatë të dyshimtë, Edi Rama e mohoi. Më pas, Ahmetaj deklaroi se Skavicën ia kanë dhënë kompanisë turke, kuptohet pa garë, në fshehtësi. Damiani tentoi ta hedhë poshtë Ahmetajn, duke iu referuar një vendimi qeverie, që nuk gjendet i publikuar në faqen zyrtarë të saj. Që do të thotë se, ose Gjiknuri gënjen, ose vendimi për Skavicën është mbajtur sekret. Dhe nëse është mbajtur sekret, pse është mbajtur sekret?”, pyeti Sekretarja për Marrëdhëniet me Publikun, Grida Duma.

Top Channel