Shtohen prurjet e Drinit, reduktohet importi i energjisë

06/01/2016 14:35

Reshjet e dendura gjatë orëve të fundit, përveç probleme të krijuara në zona të ndryshme të vendit kanë sjellë dhe një pasojë pozitive, përmirësimin e situatës hidrike në vend.

Koorporata Elektroenergjetike Shqiptare njoftoi se, prurjet e ujit në kaskadën e Drinit kanë arritur në nivele maksimale, rreth 1800 metër kub në sekondë, ose gati 10 herë më shumë se një ditë më parë.

KESH njoftoi se, në 24 orët e fundit niveli i ujit në liqenin e Fierzës u rrit me 1.4 metra, duke arritur në 277.9 metra mbi nivelin e detit. Përballë përmirësimit të situatës, KESH njoftoi se ka reduktuar me 75 për qind importin e energjisë elektrike, të kontraktuar për gjysmën e parë të këtij muaji, për t’i rimarrë në një kohë të përshtatshëm gjatë javëve në vijim. Sipas KESH, shtyrja në kohë e importit nuk do të ketë asnjë kosto shtesë për të.

Koorporata njoftoi se është duke prodhuar me kapacitet maksimal në hidrocentralet e Komanit dhe të Vaut të Dejës, për të përballuar furnizimin e popullatës me energji, ndërsa hidrocentrali kryesor i kaskadës, ai i Fierzës vazhdon të mbahet i mbyllur, me qëllim grumbullimin e rezervës ujore.

Veç prodhimit nga hidrocentralet publike, KESH thotë se po menaxhon edhe rritjen e prodhimit të HEC-eve private. Sipas të dhënave zyrtare, prodhimi i hidrocentraleve të vegjël private u katërfishua brenda 24 orëve, nga 50 megavat që ishte një ditë më parë, në 200 megavat këtë të mërkurë.

Para nisjes së reshjeve, KESH po përballej me rënien e shpejtë të rezervës ujore, çfarë rriti shqetësimet për pasojat financiare, jo vetëm në buxhetin e Koorporatës, por edhe atë të qeverisë, për shkak të kostove që do të sillte blerja e energjisë nga importi. Ndonëse kaskada vazhdon të mbetet në nivele të ulëta, reshjet e dendura gjatë orëve të fundit e kanë përmirësuar situatën hidrike në vend.

Top Channel