Përmbytjet, zv.kryeministri Peleshi zbret në terren

06/01/2016 00:00

Zëvendëskryeministri Niko Peleshi, si dhe ministra të tjerë të kabinetit qeveritar janë angazhuar këtë të mërkurë në terren, për të ndjekur dhe zgjidhur nga afër situatën e krijuar nga reshjet në zonat më problematike.

Peleshi, i shoqëruar nga kryebashkiaku i Lezhës, Fran Frrokaj, ishte në fshatin Pllanë të Zejmenit, gjatë operacionit të evakuimit të familjeve, që rrezikonin nga përmbytjet. Peleshi u takua me drejtues të pushtetit qendror dhe lokal, si dhe u interesua për masat që po ndërmerren prej tyre në ndihmë të banorëve.

Zv.kryeministri Peleshi u shpreh se, reagimi i qeverisë ka qenë në kohën e duhur dhe se, masa të tjera do të merren në vazhdim për normalizimin e plotë të situatës. Ai kërkoi që territori, si një pasuri e përbashkët e të gjithë shqiptarëve, kërkon një trajtim të veçantë dhe se, sfida e së ardhmes është një sjellje moderne ndaj tij, në mënyrë që parandalohen emergjencat civile.

Zëvendëskryeministri tha se viti që sapo hyri do të jetë viti, kur qeveria qendrore do të ndajë përgjegjësinë, kompetencat, por dhe buxhetin me qeveritë vendore për ujitjen dhe kullimin, si dhe do të hartohen një sërë projektesh të rëndësishme në bashkëpunim.

“Kjo është një përgjegjësi mbi 20-vjeçare e të gjithë shoqërisë. Natyrisht që qeveritë dhe politika kanë përgjegjësinë kryesore, por në fund të fundit Shqipëria është e përbashkët. Ky është një territor i përbashkët, ta trajtojmë tani e në vazhdim me kujdes. Nuk është çështja sesi reagojmë kur ndodh përmbytja. Ne kemi përjetuar përmbytje shumë më të mëdha. Reagimi i sotëm ka qenë në kohën e duhur edhe forca të tjera janë duke ardhur. Çështja është sesi, së bashku me bashkinë, me pushtetin vendor, qeveria qendrore të bashkëpunojë. Kemi angazhuar 25  milionë dollarë për pushtetin vendor, për të financuar skemat e ujitje-kullimit. Do të blejmë një sasi prej 30 ose 40 ekskavatorësh, që do t’u shpërndahen të gjitha bashkive, të cilat do të krijojnë bordet e tyre të kullimit, sepse kanë marrë përgjegjësinë dhe kompetencën për kanalet dytësore. Do të japim fond të mjaftueshëm edhe për projektet rehabilituese, që ky vit të shënojë një zhvillim cilësor, përsa u përket veprave ujitëse kulluese, që do të thotë parandalimin e përmbytjeve”, tha Peleshi.

Top Channel