Dita e ujit të bekuar, ceremoni në disa qytete

06/01/2016 00:00

Ceremonitë për festën e ujit të bekuar janë mbajtur në disa qytete të vendit. Në Durrës, pas meshës së Epifanisë, të zhvilluar në kishën e Shën Astit dhe Shën Pavlit, besimtarët ortodoksë morën pjesë në ceremoninë e hedhjes së kryqit në ujërat e Adriatikut, në port. Simboli i kësaj dite, kryqi u kap nga studenti Xhulio Arapi.

Në Gjirokastër, ceremonia e bekimit të ujërave, që përkujton sipas kalendarit ortodoks pagëzimin e Krishtit, është mbajtur në kishën e Kryeëngjëjve nga At Jovani, i cili dha mesazhin e paqes dhe dashurisë.

Ceremonia vijoi në ujërat e lumit Drino, me hedhjen e kryqit të shenjtë. I riu Luka Toli, që nxorri nga rrjedha e ujit kryqin, tha se ndihej i lumtur që mori bekimin e kësaj dite. Me gjithë motin e rënduar me reshje shiu, ceremoni të ngjashme janë zhvilluar edhe në Vlorë.

Atje, besimtarët ortodoksë ndoqën ritualin e përvitshëm nga prifti i Vlorës, At Kostandin Prifti, në zonën e “Ujit të Ftohtë”. Kryqin e hedhur në det e kapi Vasil Zako nga Vlora. Është hera e tretë, që ky person kap kryqin në ujërat e detit të Vlorës.

Në Berat festa nisi që në orët e para të mëngjesit, në Katedralen e Shën Dhimitrit, ku kryepeshkopi Ignati ka kryer shërbesën e rastit. Mijëra qytetarë kanë mbushur dy krahët e lumit Osum, lagjen muzeale “Goricë”, për të ndjekur ceremoninë që kulmon me hedhjen e kryqit të bekuar në ujë. 10 djem janë hedhur në lumin Osum për të kapur kryqin, por vetëm 5 prej tyre me në krye Alfred Xhimitikun, nga lagjja “Goricë”, kanë arritur ta nxjerrin.

Top Channel