Bllokohet reforma në drejtësi, opozita nuk merr pjesë në komision

06/01/2016 00:00

Ekspertët e reformës në drejtësi janë takuar, sipas axhendës, por aty nuk kanë qënë të gjithë. Demokratët kishin lajmëruar që pas mosmarrëveshjeve të së martës se ata nuk mund të ishin pjesë e dekorit dhe askush të mos i dëgjonte.

Për shkak të mungesës së opozitës, mbledhja nuk është kryer. Ekspertët e tjerë kanë pritur për gati dy orë nëse Sokol Sadushi mund të gjente një zgjidhje me Enkelejd Alibeajn paradite, gjatë takimit informal dhe larg kamerave. Por asgjë nuk është arritur. Palët kanë ngecur tek mekanizmi se me çfarë shumice zgjidhen anëtarët e Gjykatës Kushtetuese. Komisioni i Venecias thotë se ekziston rreziku që kur mazhoranca zotëron 3/5 e Parlamentit ajo të çimentojë ndikimin e saj tek drejtësia.

Demokratët propozojnë shumicën e 2/3-ve, gjë që s’është pranuar nga ekspertët e nivelit të lartë. Dhe në këtë pikë eskpertët e opozitës kërkuan zgjidhje në nivel politik. Pas mbledhjes së të martës kjo kërkesë u bë publike. 

Top Channel mësoi se ekspertët demokratë do të vazhdojnë të mos shkojnë në asnjë mbledhje të nivelit teknik, derisa mazhoranca të pranojë se çështjet e ndryshimeve kushtetuese zgjidhen me konsesus politik. Dhe demokratët nuk janë të vetmit, që kërkojnë zgjidhje politike.

Ministri i Drejtësisë, i Lëvizjes Socialiste për Integrim, Ylli Manjani, me herët sesa opozita e bëri të qartë opinionin e vet të martën.

Gjatë 24 orëve të fundit nga socialistët nuk ka patur asnjë reagim për këtë kërkesë që vjen nga Partia Demokratike dhe nga ministri i Drejtësisë. Deri tani ajo që dihet është qëndrimi i një jave më parë i kryeministrit Rama, se reforma në drejtësi u takon ekspertëve.

Top Channel