Mot i keq dhe përmbytje, probleme në zonat e ulta

06/01/2016 00:00

13 familje në fshatin Pllanë, në njësinë administrative Zejmen në Lezhë janë përmbytur dhe në ndihmë të tyre ka shkuar policia dhe Forcat e Ndërhyrjes së Shpejtë për t’i evakuuar.

Reshjet e dendura të këtyre orëve kanë shkaktuar probleme serioze në Qarkun e Lezhës.

Ndërkohë që raportohet se në fshatin Fushë-Kuqe në Bashkinë e Laçit, si pasojë e reshjeve rrezikohen disa banesa dhe në ndihmë të tyre kanë shkuar forcat zjarrfikëse të Laçit.

Në Qarkun Dibër, në fshatin Gjoricë e Poshtme të Bashkisë Bulqizë rrezikohet argjinatura e lumit Drin. Forca të Ministrisë së Mbrojtjes janë në gadishmëri për të evakuuar rreth 200 banorë nëse do të jetë e nevojshme.

Gjithashtu, në Fushë-Bulqizë rrezikohen disa banesa nga përmbytjet, ndërsa dy fshatra janë izoluar për shkak se ura është shembur nga vërshimi i një përroi. Problemet kanë ardhur nga përroi i Zallit të Thatë, që ka bllokuar fshatrat Koçaj 1 dhe Koçaj 2, duke shkatërruar edhe rrugën dhe dëmtuar banesa.

Nga Qarku i Kukësit raportohet se disa familje në Domaj të Hasit kërkojnë ndihmë për shkak se uji i ka përmbytur banesat.

Reshjet e dendura të shiut kanë shkaktuar probleme dhe në Qarkun e Durrësit. Në qytetin e Shijakut 30 banesa 2-3 katëshe janë të rrezikuara nga dalja e lumit nga shtrati. Shtëpitë ndodhen në dy krahët e lumit Erzen, poshtë urës.

Të rrezikuar nga përmbytja dhe të paralajmëruar nga Bashkia e Shijakut dhe policia lokale, banorët kanë nisur të zbrasin katet e para të banesave për t’i mbrojtur mobiljet dhe pajisjet elektroshtëpiake nga dëmtimi i ujit.

Ndërkohë, në Fushë-Krujë dhe fshatin Derven i Poshtëm, si rezultat i fryrjes së lumit, rrezikohen disa banesa, ndaj në vendngjarje kanë shkuar administratori i njësisë administrative dhe forcat zjarrfikëse të Krujës.

Edhe në fshatin Mallkuç situata paraqitet e rënduar. Probleme ka dhe në disa zona të qytetit të Durrësit, si në plazh, Shkozet dhe ish-Kënetë.

Top Channel