Ngjarja e Këlnit, De Maiziere kritikon ashpër reagimin e policisë

06/01/2016 00:00

Ministri i Brendshëm gjerman, Thomas de Maiziere e kritikoi ashpër reagimin e Policisë pas sulmeve ndaj dhjetëra grave e vajzave në qytetin e Këlnit, mbrëmjen e ndërrimit të viteve.

“Nuk është kjo mënyra, sesi duhet të punojnë policët tanë”, ishte komenti i tij pas lajmit se, për incidentet që tronditën Gjermaninë nuk janë arrestuar veçse një grusht njerëzish.

Mbi 100 femra thanë se janë ngacmuar natën e Vitit të Ri në afërsi të stacionit qendror të trenave, nga të rinj me tipare arabe apo afrikano-veriore.

Sipas ministrit të Drejtësisë, Heiko Maas, ngacmimet mund të kenë qenë të koordinuara. Episode të ngjashme pati edhe në Hamburg, Shtutgart e Dyseldorf, por të një shkalle më të vogël sesa në Këln.

Me qindra vetë protestuan mbrëmjen e së martës në këtë qytet, të zemëruar sa nga sulmet në vetvete, aq edhe nga reagimi i ngadaltë i krerëve politikë.

Top Channel