Thaçi, akuza opozitës: Kërkon pushtetin me dhunë

06/01/2016 00:00

Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme të Kosovës, Hashim Thaçi ka akuzuar partitë opozitare se po përpiqen ta marrin pushtetin me dhunë.

Përmes një shkrimi të publikuar në Facebook, Thaçi ka thënë se irritimi i opozitës në Kosovë është në rritje, sidomos pas vendimit të Gjykatës Kushtetuese, e cila – sipas tij, – ka qartësuar se Asociacioni i komunave me shumicë serbe do të themelohet në përputhje me Kushtetutën dhe ka saktësuar mënyrën e themelimit dhe dispozitat kushtetuese, të cilat duhet t’i përmbajë statuti, nëpërmjet të cilit themelohet dhe funksionon Asociacioni.

“Ndaj shtrohet pyetja, përse vetëm disa parti të vogla opozitare, të inatosura me të gjithë, nuk e pranojnë vendimin në fjalë. Përgjigjja është e qartë, sepse vendimi i Gjykatës Kushtetuese rrënon përfundimisht pretekstin e sajuar të opozitës për protesta. Kjo shkakton dhimbje dhe rrit irritimin”, ka shkruar Thaçi.

Ai ka thënë se, opozita ka përsëri të drejtë të protestojë në mënyrë të qetë dhe demokratike, por u ka bërë thirrje atyre të heqin dorë nga dhuna.

Top Channel