Ymeri i kundërpërgjigjet akuzave të Thaçit: ‘Presidentit’ dhe qeverisë u ka ardhur fundi

06/01/2016 00:00

Menjëherë pas këtyre deklaratave të zv.kryeministrit Thaçi, ka reaguar kryetari i Vetëvendosjes, Visar Ymeri.

“Zëvendëskryeministri, që mezi pret të bëhet President, sot ka shkruar një hartim, ku si zakonisht kërcënon opozitën. Hashim Thaçi, i cili kritikon opozitën se gjoja po vepron ‘për pushtet’, harron që vet ai ‘u nominua’ për president në të njëjtën mënyrë si personazhet e ‘Big Brother’-it, pasi nënshkroi një marrëveshje të fëlliqur të ndarjes së pushtetit me aleatët e tij, Isa Mustafën dhe Listën Srpska, me të cilët krijoi qeverinë e Rashkës. Për pushtetin e Presidentit, pra për post e për pozitë, ai themeloi një qeveri në Kosovë që ka punuar vetëm për Serbinë, e kundër Kosovës si republikë e qytetarëve të saj”, thuhet në reagimin e Ymerit, të shpërndarë me postë elektronike nga Lëvizja Vetëvendosje.

“Si frikacak i pandershëm, Hashim Thaçi nuk guxon të flasë për dështimet e qeverisë dhe të ministrisë së tij. Si mashtrues i kahmotshëm, ai edhe sot dredhon prej përgjegjësisë së vet dhe flet për protestat e opozitës, që sipas tij do të jenë të dhunshme. Janë të njëjtat gënjeshtra, që këta i thonë sa herë që duan të shtypin opozitën. Të njëjtat gënjeshtra i thanë edhe para protestës masive opozitare më 28 nëntor. Por kësaj qeverie dhe vet Thaçit po u afrohet fundi i pushtetit. Këta njerëz të stërkorruptuar, që jetojnë në luksin e vjedhur prej popullit të stërvarfëruar, nuk do të mund ta shesin Kosovën. Protesta e 9 janarit ka për të qenë madhështore dhe vendimtare. Hashim Thaçi dhe shefi i tij, Isa Mustafa, janë të ftuar të numërojnë pjesëmarrësit dhe të shkruajnë statuse, nëse s’kanë punë tjetër. Në qeveri janë kallëzuar të paaftë dhe kriminalë. Opozita, e bashkuar me qytetarët, ka për të fituar”, përfundon reagimi i Ymerit.

Top Channel