Kosovë, krerët e shtetit urojnë Krishtlindjen ortodokse

06/01/2016 00:00

Krerët më të lartë të shtetit kosovar kanë uruar peshkopin Teodosije dhe besimtarët serbë të Kosovës, me rastin e Krishtlindjes ortodokse.

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga ia uroi Krishtlindjen ortodokse shkëlqesisë së tij, peshkopit të Rashkës dhe Prizrenit, Teodosije, si dhe të gjithë besimtarëve ortodoksë, të cilët festojnë sot Krishtlindjen sipas kalendarit julian.

“Uroj që këtë festë, më të gëzuarën kristiane, ta festojmë në paqe, shëndet, lumturi dhe respekt të ndërsjelltë. Që familjet tona të jenë të bekuara me fëmijë dhe që me shumë dashuri e harmoni ta ndërtojmë Kosovën tonë të përbashkët. Nata e krishtlindjes dhe Krishtlindja le të na sjellë ngrohtësinë dhe lumturinë në çdo shtëpi dhe le të na kujtojë lindjen e Jezu Krishtit. Festat e krishtlindjes e kthejnë ndjenjën e bashkimit e faljes dhe na kujtojnë të gjithëve, që në vetvete mbajmë dashuri, lumturi, mirëkuptim dhe tolerancë”, thuhet në urimin e Presidentes.

Me rastin e Krishtlindjes ortodokse, edhe kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Kadri Veseli, nëpërmjet një telegrami, ka uruar peshkopin Teodosije dhe të gjithë besimtarët ortodoksë në Republikën e Kosovës.

“Më lejoni, që në emër të Kuvendit të Republikës së Kosovës dhe në emrin tim, t’iu shpreh urimet e mia më të përzemërta me rastin e ditës së Krishtlindjes ortodokse, juve dhe të gjithë besimtarëve ortodoksë në Republikën e Kosovës. Uroj që kjo ditë festë të shërbejë për të forcuar besimin dhe respektin e ndërsjelltë; të mbizotërojë mirësia e vullneti, dhe të vendosim së bashku për të punuar e ndërtuar një të ardhme, ku të gjithë njerëzit mësojnë të duan njëri-tjetrin dhe të jetojnë së bashku në harmoni; për të realizuar shpresat tona për paqe, liri, tolerancë dhe drejtësi për të gjithë, pa dallim”, thuhet në urimin e kryetarit Veseli.

“Të gjithë besimtarëve ortodoksë iu uroj Gëzuar Krishtlindjen, me dëshirën që kjo festë të sjellë harmoni, dashuri dhe mirëqenie për të gjithë qytetarët e Kosovës”, theksohet në urimin e kryeministri Isa Mustafa.

Kryeministri Isa Mustafa, me këtë rast, ka shprehur përkushtimin e Qeverisë së Kosovës, që në bashkëpunim me të gjitha komunitetet fetare në Kosovë, të angazhohet për fuqizimin e mëtejshëm të vlerave tradicionale të harmonisë ndërfetare, të tolerancës dhe respektit të ndërsjelltë ndërmjet qytetarëve të Kosovës.

Top Channel