Reshjet shkaktojnë vështirësi në Tiranë

06/01/2016 00:00

Brenda pak orësh disa zona të kryeqytetit janë përmbytur nga reshjet e dendura të shiut. Lumi i Lanës ka dalë nga shtrati dhe të dy trotuaret anës tij janë përmbytur.

Trafiku në rrugët kryesore të kryeqytetit është rënduar dhe disa rrugë si “Siri Kodra”, “Don Bosko” dhe “Mentor Xhemali” kanë qenë të pakalueshme.

Bashkia e Tiranës njoftoi se ka në terren të gjithë punëtorët për të pastruar pusetat që bllokohen nga mbetjet që sjellin ujërat.

“Situata është problematike me të dy lumenjtë. Si me lumin e Tiranës dhe me lumin Lana, të cilët janë në limitet maksimale të kapacitetit të tyre përthithës. Qytetarët që gjenden në zonat pranë lumenjve duhet të kenë kujdes dhe të lajmërojnë administratorët e njësive përkatëse”, tha nënkryetari i Bashkisë së Tiranës, Arbjan Mazniku.

Nxënësit e një shkolle që ndodhet në dalje të Saukut janë rrezikuar nga ujrat që kanë vërshuar. Mësuesit, por edhe fëmijët, e kanë patur të vështirë të dalin nga ndërtesa, pasi rrugët janë bllokuar nga uji.

Përmbytje ka patur edhe në zonën e Babrrusë, ku janë evakuuar 25 familje, pasi shtëpitë rrezikoheshin nga përmbytjet. Në këtë zonë ishte edhe ministri i Brendshëm Saimir Tahiri dhe drejtori i përgjithshem i Emergjencave Civile, Shemsi Premçi.

Ndërsa në Paskuqan është çarë tubacioni i ujit që furnizon qytetin e Tiranës me ujë. 

Probleme ka patur edhe tek Bregu i Lumit, tek ish-Nishtulla, ku janë evakuuar 3 familje të cilat rrezikoheshin nga përmbytjet.

Ndërkaq, gjatë orëve të pasdites, situata është përkeqësuar dhe në zonën e Ndroqit, ku si pasojë e daljes nga shtrati të lumit Erzen, është përmbytur një fermë e rritjes së lopëve.

Po ashtu, e rënduar vijon të jetë situatata edhe përgjatë Lumit të Tiranës.

Top Channel