Ku “banojnë” thashethemet?

06/01/2016 00:00

Janë kaq të dashura për ne. I bëjmë çdo ditë, në kafene, zyra, shoqëri e sidomos në ambiente pune. Po flasim për thashethemet, vesi që na tundon të gjithëve.

“Një nga arsyet, pse njerëzit janë të dhënë pas asaj që dëgjojnë ‘nën zë’, është se në vetvete thashethemi është argëtues në mënyrë të parezistueshme”,thotë Frank McAndreë, profesor i psikologjisë në Universitetin Knox.

Sipas tij është e provuar se, kur bëjmë thashetheme, një pjesë e trurit çliron dopaminë, hormon i cili nxit entuziazmin. Edhe pse shpesh mund të kemi ndierë brejtje ndërgjegjeje për atë që po bëjmë, kemi vazhduar gjithsesi.

Por cilat janë disa nga vendet simbol të thathethemit? Dikur në sokaket e vjetra, njerëzit mbanin dylbi për të parë ç’po bënte tjetri, e më pas për ta komentuar me fqinjin. Kultura e “vrimës së çelësit” ka evoluar  nga atëherë, por nuk është zhdukur.

Në kohët moderne, thashethemi bëhet te berberi apo parukierja, ku njerëzit grumbullohen, ndërsa i kanë të pashmangshme bisedat. Padiskutim që thashetheme dëgjon dhe taksisti. Nëse do të kuptosh se çfarë po ndodh në një vend, një xhiro me taksi është ajo që duhet.

Në kontakt me problemet apo rrëfimet e njerëzve është edhe prifti. Ai është veshi perfekt, i cili dëgjon çdo gjë, por për hir të betimit nuk thotë asgjë. Pavarësisht profesionit dhe kohës, një gjë është fakt: thashethemi në të gjitha shoqëritë është pjesë e kulturës, edhe pse diku më shumë e diku më pak.

Top Channel