Testi i bombës me hidrogjen, OKB: Do të marrim masa ndaj Koresë së Veriut

06/01/2016 20:45

Këshilli i Sigurimit i OKB-së ka njoftuar se do të nisë punën për marrjen e masave të reja ndaj Koresë së Veriut, pas testit të suksesshëm të bombës me hidrogjen nga ana e Penianit.

Këshilli e dënoi këtë testim, duke e konsideruar si një “kërcënim të pastër të paqes ndërkombëtare”.

Ky është i katërti test bërthamor i vendit komunist që prej vitit 2006 dhe është një tjetër arsye për të ushqyer frikën se Peniani po përpiqet të krijojë armë të një force gjigante shkatërruese, që mund të mbërrijnë deri në SHBA.

Njoftimi i testit u përcoll në televizionin shtetëror, vetëm pak orë pas regjistrimit të një tërmeti 5,1 ballësh në afërsi të zonës së Punggyeri, ku janë zhvilluar prova të tjera nukleare në të shkuarën.

Kjo është hera e parë që Peniani deklaron se ka testuar një bombë me hidrogjen, që është më e fuqishme sesa një bombë bërthamore bazike. Ekspertët ndërkombëtarë nuk janë shumë të bindur nga aftësitë atomike të shtetit të izoluar komunist dhe, për këtë pretendim të fundit, nuk ka ende një konfirmim të pavarur.

Top Channel