Bomba me hidrogjen, Ban Ki-moon: Thellësisht shqetësuese

07/01/2016 00:00

Sekretari i Përgjithshëm i OKB, Ban Ki-moon e cilësoi testin e  katërt bërthamor të Koresë së Veriut si “thellësisht shqetësues” dhe njëkohësisht destabilizues për sigurinë rajonale.

“Ky test edhe një herë shkel rezolutat e Këshillit të Sigurimit, pavarësisht thirrjes nga ana e bashkësisë ndërkombëtare për të ndërprerë të tilla aktivitete. Gjithashtu kjo është kundër të gjithë parimeve për testimin bërthamor”, deklaroi Ban Ki-moon.

Koreja e Veriut konfirmoi të parin test të suksesshëm të bombës me hidrogjen. Ky është i katërti test bërthamor i vendit komunist që prej 2006-s dhe një arsye tjetër për të ushqyer frikën se Peniani po përpiqet të krijojë armë të një force gjigande shkatërruese që mund të mbërrijnë deri në SHBA.

Nga ana e tij, Uashingtoni e kritikoi ashpër Korenë e Veriut, teksa shtoi se analizat fillestare te amerikanëve nuk janë aspak në  përputhje me atë që krenohet Peniani që zotëron bombën me hidrogjen. Po ashtu, Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara e dënoi provën e Koresë së Veriut dhe u zotua se do të vendosë në fuqi sanksione të reja për testimin e bombës me hidrogjen.

Kjo është hera e parë që koreanoveriorët deklarojnë se kanë  testuar një bombë me hidrogjen që në fakt është më e fuqishme sesa një bombë bërthamore bazike.

Megjithatë, ekspertët ndërkombëtarë nuk janë shumë të bindur nga aftësitë atomike të shtetit të izoluar komunist dhe për këtë pretendim të fundit, nuk ka ende një konfirmim të pavarur.

Top Channel