Greqi, në kërkim shqiptari që ka vrarë bashkëshorten greke

07/01/2016 08:30

Autoritetet policore në Greqinë veriore kanë lëshuar një mandat-arresti për një shtetas shqiptar 34-vjeçar, James Frrok Lesi, i cili dyshohet se ka vrarë bashkëshorten e tij greke, 42 vjeç, me të cilën ka qenë në prag divorci.

Ngjarja ka ndodhur rreth orës 19:00 të së mërkurës, në fshatin Ormilia të Halkidikisë, 100 km në lindje të Selanikut. Sipas informacioneve të deritanishme, policia ka marrë një telefonatë sipas së cilës diçka e dyshimtë kishte ndodhur në shtëpinë ku banonte viktima me dy djem të moshës 4 deri në 6 vjeç.
 
Kur kanë mbërritur oficerët e policisë kanë gjetur ish-bashkëshorten e  shtetasit shqiptar në një pellg gjaku, ndërsa në trupin e saj kishte shenja nga goditje me thikë.

Autori, pasi ka marrë vetëm një prej fëmijëve, është larguar në fillim në këmbë nga vendngjarja dhe më pas thuhet se ka marrë taksi.

Në zhvillim ndodhet një operacion i policisë greke për gjetjen e tij, ndërsa në gatishmëri ndodhen edhe organet policore në pikat kufitare me Shqipërinë, pasi thuhet se autori ka telefonuar tek një i afërm i tij dhe i ka thënë se po përpiqet të kalojë kufirin.

Top Channel