1 vit pas sulmeve, homazhe për “Charlie Hebdo”

07/01/2016 00:00

Përvjetorin e parë të sulmit, që u mori jetët 8 pjesëtarëve të stafit të saj, revista satirike franceze “Charlie Hebdo” e shënoi me mënyrën që njeh më mirë: një karikaturë provokuese në kopertinë; atë të Zotit me një kallashnikov të lidhur në shpinë, e me njolla gjaku në duar e këmbë. Diçitura: “Një vit më pas: Vrasësi është ende i lirë”.

Reagimi i Vatikanit ishte i pritshëm. “Karikatura, – bëri të ditur Selia e Shenjtë, – po përdor Zotin për të justifikuar dhunën”.

Por revista vet vazhdon ta ketë publikun e saj, edhe pse vala e madhe e solidaritetit tashmë ka kaluar. “Ne duhet të kemi dhe të drejtën e blasfemisë, e ashtu si të drejtat për liritë e tjera, edhe kjo është një liri që duhet mbrojtur”, mendon një francez, që në qoshkën e gazetave ndaloi vetëm për të marrë botimin jubilar të “Charlie Hebdo”-së.

Kopertina ngjalli polemika të mëdha, që përpara se revista të dilte në shitje. Megjithatë, karikaturisti i njohur me emrin Riss kujtoi se, “Charlie Hebdo” e ka mbrojtur gjithmonë laicizmin. “Shprehja hapur e një mendimi të tillë po bëhet gjithnjë e më e vështirë, – thote ai. – Laicizmi vazhdon të sulmohet, të vihet në pikëpyetje dhe të prezantohet si një veprim fundamentalist”.

Kryeartikulli në këtë përvjetor, nga Laurent Sourisseau, i cili mban nofkën “Carja”, sulmon njësoj si fanatikët e radikalizuar nga Kurani, ashtu edhe fanatikë të feve të tjera, të cilët ndanin bindjen se “Charlie Hebdo” do të dështonte.

“Ishte e papërfytyrueshme, që në shekullin e XXI-të në Francë, një fe do të vriste gazetarë”, shkruan ai. Breshëria e armëve të vëllezërve Said dhe Cherif Kouachi në zyrat e revistës satirike, 7 janarin e vitit të kaluar, u mori jetën 8 punonjësve të saj, një të ftuari, një recepsionisti e dy rojeve të sigurisë.

Gjithsej, në sulmet treditore të ekstremistëve në Paris u vranë 17 persona. Zyrat e revistës ishin sulmuar me bomba molotov edhe në vitin 2011. “Charlie Hebdo” e pati tërhequr që në 2006-n vëmendjen ndërkombëtare për botimin e karikaturave të Profetit Muhamed.

***
Parizienët vendosën kurora lulesh dhe ndezën qirinj, pranë zyrave të vjetra të revistës “Charlie Hebdo”, në prag të 1-vjetorit të sulmeve terroriste. Qytetarët ndaluan për pak çaste pranë godinës në Rue Nicolas-Appert, ku u përurua edhe një pllakë në homazh të viktimave. 17 persona humbën jetën në janar të vitit të kaluar, kur dy terroristë të armatosur sulmuan redaksinë e revistës satirike dhe një supermarket hebre.

Një pllakë e dytë përkujtimore u vendos në vendin ku u vra një polic dhe një tjetër në supermarketin hebre. Të shtunën do të vendoset gjithashtu një pllakë e katërt në periferinë jugore të Montrouge, ku një person i armatosur qëlloi një polic. Aktivitetet përkujtimore do të kulmojnë me një ngjarje publike të dielën, në Place de la Republique, ku parizienët do të mblidhen për të përkujtuar sulmet.

Një lis 10 metra i lartë, që do të pagëzohet si pema e kujtesës, do të vendoset në shesh dhe muzikanti veteran francez, Johnny Hallyday, do te performojë “Un Dimanche de Janvier”, një këngë në kujtim të marshimit gjigant që pasoi sulmet në Paris.

Top Channel