Kriza e emigrantëve, lëkundet sistemi i Shengenit

07/01/2016 00:00

“Jemi dakord për faktin se Shengeni dhe liria e lëvizjes duhet të mbrohen, si për qytetarët ashtu edhe për ekonominë. Masa të posaçme janë marrë dhe ramë dakord t’i ruajmë në minimumin e nevojshëm për t’ju rikthyer sa më shpejt normalitetit”, është shprehur komisioneri për emigracionin, Dimitris Avramopoulos.

Fjalët e tij në përfundim të takimit të jashtëzakonshëm me përfaqësuesit e Suedisë, Danimarkës dhe Gjermanisë pas vendimit të Stokholmit për të rikthyer kontrollet në kufirin me Danimarkën, nxjerrin në pah ngërçin e politikës europiane për tu përballur me krizën e emigracionit.

Të gjithë janë të një mendje lidhur me sistemin e Shengenit, por zv. ministri gjerman Ole Schroeder u hodh në sulme me pretendimin se Gjermania nuk po shihte një rënie të numrit të emigrantëve që hyjnë në vend, pavarësisht përpjekjeve të BE për të luftuar krizën.

Për këtë ai fajësoi mungesën e kontrolleve në kufijtë e jashtëm të Europës, veçanërisht në kufirin Greko-Turk. Gjermania është një prej vendeve më të prekura nga kriza, me rreth 1.09 milionë azilkërkues gjatë 2015. Ndërkohë, gjatë një konference me aleatët e saj nga partia Csu, kancelarja Angela Merkel bëri të qartë se kërkon të frenojë fluskin e emigrantëve në Bashkimin Europian por në të njëjtën kohë duke ruajtur të hapur kufijtë brenda unionit.

Merkel, e cila në muajin nëntor shënoi një dekadë në detyrë, e fillon 2016-n me trysni të shumta madje edhe nga vetë partia e saj konservatore, për të reduktuar fluksin e azilkërkuesve në Gjermani, pas rekordit prej më shumë se 1 milion të ardhurish në vitin 2015.

“Është shumë e rëndësishme për mua që të reduktojmë fluksin e refugjatëve duke luftuar shkaqet e emigracionit, por gjithashtu përmes masave kombëtare, si psh duke përmirësuar procedurat e riatdhesimit të atyre që u mohohet azili, dhe në të njëjtën kohë duke ruajtur lëvizjen e lirë të njerëzve brenda Bashkimit Europian”, tha Merkel.

Sipas kancelares gjermane, lëvizja e lirë e cila ka rezultuar me heqjen e kontrolleve të brendshme kufitare në 26 vende europiane, kishte qënë një promotor i ekonomisë, zhvillimit ekonomik dhe prosperitetit. Por fqinji verior i gjermanise, Danimarka riktheu kontrollet e përkohshme kufitare të hënën, me frikën se do të bëhej destinacioni përfundimtar për shumë refugjatë, pasi Suedia vendosi t’i ndalojë ata të zhvendoseshin drejt veriut.

Top Channel