Policia e Vlorës ka vijuar aksionin për gjetjen e autorëve të vrasjes së 36-vjeçarit Reagim Meli mbrëmjen e djeshme.
Shërbimet dhe kontrollet kanë qënë në të gjitha kryqëzimet e lagjes “Rilindja”, si dhe në hyrjet dhe daljet nga qyteti.
Burime nga policia e Vlorës bëjnë me dije se janë shoqëruar 10 persona të cilët janë marrë në pyetje pasi kanë qenë në vendngjarje dhe janë lënë të lirë.
Sipas policisë, vrasja ka qenë e mirorganizuar dhe mendohet që autorët të kenë qenë dy persona.
Sipas të dhënave të deritanishme, pista kryesore ngelet ajo e përfshirjes së viktimës në pazare droge në Spanjë, por nga të dhënat e sistemit TIMS Meli nuk rezulton të ketë preçedentë të mëparshëm penalë në asnjë nga vendet ku ka jetuar.
Automjeti që përdorte viktima në Shqipëri, tip “Ford” fuoristradë, me targë “AA 330 AD” është në pronësi të kunatit të tij. Policia ende nuk ka marrë deponimin e familjarëve, të cilët do të pyeten pas zhvillimit të ceremonisë mortore.
Sipas hetuesve, viktima është qëlluar nga afër, në një distancë prej 2 metrash, nga pesë plumba, dy prej të cilëve në kokë, dy në pjesën e kraharorit dhe një në shpatull.
Sipas policisë, duke parë mënyrën e ekzekutimit besohet që autorët të jenë vrasës me pagesë profesionistë.
Top Channel