Rëniet në bursat kineze lëkundin tregjet financiare globale

07/01/2016 00:00

Shkëmbimet në tregjet financiare kineze u ndërprenë sërish pasi për të dytën herë brenda javës, aksionet ranë me më shumë se 7 për qind.

Pas 30 minutash veprim, bursat u mbyllën në mënyrë automatike për shkak të një sistemi të ri që ndërhyn për të frenuar paqëndrueshmërinë në tregje, çka e bëri këtë të sotmen ditën më të shkurtër të shit-blerjeve të këtij lloji në historinë e vendit.

Nuk vonoi shumë që pikiata kineze të ngjallte panik në tregjet globale. Më të ndjeshme qenë këtë herë ato europiane, indekset e të cilave u tkurrën me mbi 2%.

Nervozizmin e investitorëve e ushqyen lëvizjet e Bankës Qendore për dobësimin e juanit, çka u intepretua shpejt si përpjekje e Pekinit për të stimuluar eksportet, pasi ekonomia e vendit mund të shkojë drejt ngadalësimit më shumë nga sa pritej.

Zhvlerësimi i juanit ngjall nga ana tjetër edhe shqetësimin se mund të bëhet shkas për një tjetër valë konkurrence të dobësimit të monedhave kombëtare në rajon.

Rënien fillestare, tregjet e aksioneve në Kinë e më pas edhe në vendet e tjera aziatike e patën që në ditën e parë të hapjes së bursave për këtë vit, duke shkaktuar luhatje të forta edhe në tregjet europiane, ndërsa aksionet ranë ndjeshëm edhe në Shtetet e Bashkuara.

Arsyen e ngërçit në atë rast, ekspertët e gjetën tek rrudhja e prodhimit industrial në Kinë dhe përshkallëzimi i tensioneve në Lindjen e Mesme.

Pas rënies 5 për qind të një indeksi të rëndësishëm të aksioneve të 300 kompanive kineze, shit-blerjet në bursë u ndaluan automatikisht, ndërprerje kjo që sipas ekonomistëve, shkaktoi panik të mëtejshëm duke e bërë më të vështirë shitjen e aksioneve.

Pas rifillimit të shit-blerjeve, rënia e vlerës së aksioneve vazhdoi më tej dhe kur treguesit e bursës së Shenzhenit dhe Shangait shënuan një ulje prej 7 për qindësh, të gjitha transaksionet u pezulluan për pjesën tjetër të ditës.

Top Channel