Çmimi i naftës në pikiatë, niveli më i ulët i 11 viteve të fundit

07/01/2016 00:00

Çmimi i naftës në tregjet ndërkombëtare ka hyrë në një pikiatë të pandalshme duke rënë në nivelin më të ulët të 11 viteve të fundit.

BBC raportoi se nafta e tipit Brent që tregtohet kryesisht në bursat europiane, u kuotua këtë të enjte me 32.6 dollarë për fuçi. Ky është çmimi më i ulët që nga prilli i vitit 2004.

Rënia e çmimit të naftës po diktohet nga mbi oferta në treg. Prodhimi global i arit të zi ka arritur në nivele rekord, aq sa botës po i mbarojnë magazinat për ta depozituar këtë produkt.

Ajo që vetëm tre apo katër vjet më parë nuk mund të imagjinohej, tani është realitet; bota po prodhon naftë shumë më tepër nga sa mund të konsumojë.

Prodhimi rekord vjen në një situatë kur kërkesa e ekonomisë botërore për naftë është e ndrydhur për shkak të krizës globale. Nga qershori i vitit të kaluar, teprica konstante e ofertës është duke ulur me shpejtësi çmimin e naftës drejt niveleve më të ulëta.

Parashikimet janë që çmimi i naftës do të mbetet i ulët edhe gjatë këtij viti. Sipas ekspertëve, edhe nëse SHBA apo OPEK-u do të ulë prodhimin e naftës, sërish do të duhen disa muaj para se të zbrazen magazinat dhe të pastrohet teprica e naftës që është krijuar në treg.

Top Channel