PD: Ekzekutimi në Durrës, vepër e bandave të lidhura me Tahirin

07/01/2016 00:00

Partia Demokratike ka deklaruar paraditen e kësaj të enjteje se, “ekzekutimi mafioz mbrëmë në Durrës nuk është vetëm tregues i përkeqësimit të rendit në shkallën më të lartë, por edhe i përfshirjes së drejtpërdrejtë e një pjese të strukturave të Policisë”.

“Viktima, Çollaku, ishte nga të ndaluarit e parë dhe i dyshuari kryesor për vrasjen që ndodhi në Durrës, në mes të qytetit, në fund të dhjetorit, ku u ekzekutua Ervin Kodra dhe miku i tij. Policia, jo vetëm e shoqëroi viktimën e mbrëmshme për vrasjen e Kodrës, por po e mbante gjithë kohës nën vëzhgim. Megjithëse ishte nën mbikqyrjen e policisë, megjithëse policia kishte informacion për përfshirjen e mundshme të Çollakut në vrasjen e dyfishtë të dhjetorit, sërish 4 vetë të armatosur e të veshur me uniformë policie e rrëmbejnë në mes të qytetit, e lidhin dhe e ekzekutojnë, duke larë hesapet e tyre”, ka deklaruar kreu i Departamentit për Rendin dhe Sigurinë, Enkelejd Alibeaj.

Sipas tij, “këto lloj rrëmbimesh dhe ekzekutimesh, si në rastin e Stafukës në Fushë-Krujë, kanë firmën e kokave të krimit në vend dhe vulën e miqve të Saimir Tahirit”.

“Lehtësia me të cilën bandat rrëmbejnë e vrasin vjen nga lidhja e tyre e drejtpërdrejtë me ministrin e Brendshëm. Nuk mund të ketë lehtësi më të madhe për krimin dhe mafian, sesa një ministër i Brendshëm që bën ndërmjetësin e vrasësve me pagesë, që dërgon oficerë në shërbim të shullazëve, që vë makinën e tij personale në dispozicion të trafikantëve, që djeg provat e drogës, që fsheh kërkesën e Interpolit, që shfajësohet para baronëve të narkotikut se dëmin nuk ua bën kurrë ai. Ky është Saimir Tahiri, i cili ka firmën e vulën pas këtij ekzekutimi, pas këtyre vrasjeve, pas trafikut të drogës dhe inkriminimit të policisë”, ka thënë Alibeaj.

Në emër të Partisë Demokratike, ai i ka bërë thirrje trupës së ndershme të policisë, “burrave dhe grave në uniformë, të bëjnë maksimumin e tyre e të punojnë me përkushtim, sepse koha e çlirimit nga ky ministër i lidhur me krimin nuk do të jetë e largët”.

Top Channel