MPB: Ja situata nga përmbytjet deri në orën 12:00

07/01/2016 00:00

Ministria e Brendshme ka raportuar pak pas mesdite lidhur me situatën e krijuar në vend nga përmbytjet deri në orën 12:00 të së enjtes.

Në njoftimin e saj, MPB vë në dukje se një urë e vogël që lidh ish-uzinën Dinamo me Paskuqanin është dëmtuar, ndërsa shton se, në Bërzhitë ka rrëshqitje toke që rrezikojnë 4 familje.

Ndërkohë, vijon njoftimi, është çarë argjinatura e lumit Shkumbin pranë fshatit Çermë dhe rritja e prurjeve të këtij lumi ka shkaktuar përmbytjen e disa fshatrave në Divjakë.

“Në Sukth janë evakuuar 30 familje dhe vijon evakuimi i familjeve të tjera. Ndërsa në Bashkinë e Shijakut janë evakuuar 50 familje”, sakteson njoftimi zyrtar.

Në aksin Fierzë-Fushë Arrëz, në fshatin Mishka, është shembur një pjesë e segmentit rrugor. Ndërkohë që aksi Qafë Thore-Bogë-Theh është i pakalueshëm, aksi Elbasan-Librazhd është zhbllokuar në njërin krah pas shembjes së masivit të dheut.

Top Channel