Paris, vritet një person; mbante brez eksplozivi

07/01/2016 13:00

Në 1-vjetorin e sulmeve tragjike ndaj revistës satirike “Charlie Hebdo” e një marketi hebre në Paris, Presidenti francez premtoi që deri në 2017-n ta shtojë forcën ekzistuese të policisë në vend me 5.000 efektivë shtesë, duke i dhënë kështu një shtysë të paprecedentë fuqizimit të sigurisë në vend.

Por nuk kaloi shumë nga deklarata e tij dhe, pranë një komisariati të kryeqytetit u dëgjuan të shtëna armësh. Mediat vendase bënë të ditur se ishte vrarë një person.

Burri kishte hyrë i armatosur me thikë në stacionin e policisë së lagjes “Goutte d’Or”, në veri të Parisit. Sipas “France Info”, i vrari kishte në trup një brez me eksploziv.

Ministri i Brendshëm, Bernard Cazeneuve u nis menjëherë drejt vendngjarjes, ndërsa pohoi për gazetarët se, përpara se të qëllohej nga forcat e rendit, agresori ka thirrur “Allah Akbar”. Tre prej 17 viktimave, të sulmeve të një viti më parë në Paris, ishin efektivë policie.

Top Channel