Opozita “rrethon” godinën e Qeverisë: Vend krimi!

07/01/2016 13:15

Aktivistë të tri subjekteve opozitare në Kosovë kanë kryer një aksion simbolik, duke rrethuar godinën e Qeverisë së Kosovës me një shirit, ku shkruhet “Vendi i krimit: Këtu rrinë shkelësit e Kushtetutës”.

Përmes këtij aksioni, aktivistët opozitarë ftuan qytetarët që të bashkohen në protestën e opozitës, më 9 janar.

“Republika e Kosovës nuk mund të udhëhiqet nga ata, të cilët e përmbysën rendin kushtetues. Ata duhet të japin llogari, prandaj duhet të largohen nga pushteti. Në të kundërt, ne qytetarët e Republikës do t’i detyrojmë që të largohen”, tha Gurjeta Zeka, aktiviste e VV-së.

“Ne si të rinj do të donim, që mesazhi ynë mos të jetë zhgënjyes dhe dekurajues për të gjithë të rinjtë e tjerë. Por fatkeqësisht, qeverisja PDK-LDK-Lista Serbe, gjatë mandatit të tyre kanë pasur vetëm një objektiv, sistematizimin dhe legalizimin e ndërhyrjeve ilegale serbe në Kosovë”, tha Endrit Hoxha, aktivist i “Nisma për Kosovën”.

Aktivistët e subjekteve opozitare thanë se, protesta e së shtunës do të jetë e qetë, ndërsa protestuesit do të mblidhen para Bibliotekës Kombëtare në Prishtinë.

Top Channel