Korçë, radhë në acar për një vertetim në hipotekë

07/01/2016 00:00

Dhjetëra qytetarë janë duke gdhirë netët në radhë para Zyrave të Regjistrimit të Pasurive të Paluajtshme në Korçë, në pritje të një vërtetimi.

Mes shiut dhe të ftohtit, qytetarë të grupmoshave të ndryshme qëndrojmë në pritje pa marrë asnjë sqarim, ndërsa duket se nga brenda institucionit askush nuk u jep sqarime.

Sipas tyre, përveç lodhjes dhe të ftohtit ata rrezikojnë që të mos marrin dot ndihmën ekonomike, pasi vërtetimet që u kërkohen duhen dorëzuar brenda një afati të caktuar dhe askush nuk mban përgjegjësi.

Ata madje nuk kursehen të hedhin akuza ndaj punonjësve, pasi deklarojnë se zyrat janë bosh dhe askush nuk punon.

“Kemi qëndruar gjithë natën. Erdhë pardje, kaluan 50 vetë nuk u bë gjë, erdhëm prapë mbrëmë dhe s’kemi mbaruar punë. S’ka sistem”, thotë një prej banorëve.

Prej fillimit të javës duket se pranë ZRVPP është e vështirë që qytetarët të mbarojnë punë, ndërsa kjo është një histori e cila zgjat prej vitesh pasi marrja e një vërtetimi të thjeshtë pranë kësaj zyre kërkon kohë të gjatë dhe qëndrim në radhë për ditë të tëra.

Top Channel