Korçë, protestë për shkollën; ndërtesta është e vitit 1956

07/01/2016 00:00

Shkolla “Dhimitër Gjata” në fshatin Rëmbec të Korçës prej vitesh ngjason me një gërmadhë të braktisur, por çdo ditë brenda saj zhvillojnë mësimin mbi 250 fëmijë të grupmoshave të ndryshme.

Mes lagështirës, tavaneve të rrëzuara e dyshemesë gati të shembur, fëmijët përpiqen të marrin dijen duke lënë mënjanë rrezikun që u kanoset dhe kushtet e vështira.

Prej 25 vitesh në ambjentet e kësaj godine nuk është bërë as ndërhyrja minimale, çka ka sjellë edhe ragimin e fëmijëve dhe prindërve të cilët kanë protestuar duke vendosur bojkotin e mësimit.

Me pankarta në duar, ata kanë kërkuar ndërhyrjen e menjëhershme të instancave shtetërore pasi shkolla është jashtë çdo norme. “Shkolla ku mësoj unë është me lagështirë. Lagështira ka vajtur dy metra dhe nuk bëhet dot mësim”, është shprehur një nxënës.

Prindërit e nxënësve thonë se ndihen të shqetësuar jo vetëm për shëndetin e fëmijëve të tyre, por edhe për sigurinë pasi amortizimi i godinës mund të shkaktojë një tragjedi.

“Që në vitin 90 në këtë shkollë nuk është vënë asnjë tullë apo tjegull. Godina është e pabanueshme për fëmijët tanë”, ka thënë një prej tyre.

Këtij shqetësimi i është bashkuar edhe drejtori i shkollës, Qerim Kreka. “Kanë shumë të drejtë në këtë protestë të organizuar, sepse kushtet e shkollës janë shumë të vështira. Kati i parë është i pabanueshëm, lagështira arrin në 1 metër e gjysmë, muret kanë rënë, ndërsa dritaret janë të mbërthyera me mjete rrethanore”, ka deklaruar Kreka.

Sipas të dhënave, shkolla është ndërtuar në vitin 1956 dhe prej asaj kohe të vetmet ndërhyrje kanë qenë disa rregullime të vogla. E ndërsa kati i saj i parë është jofunksional, kati i dytë është një ambjent ku nuk ofrohen as kushtet minimale.

Top Channel