Nurburgringu mund të kthehet në F1 në vitin 2017

07/01/2016 14:20

Çmimi i Madh i Gjermanisë në vitin 2017 ka mundësi të zhvillohet në Nurburgring. Sipas asaj që publikohet në median gjermane, nuk përjashtohet mundësia që ky cirkuit të bëhet sërish pjesë e Formulës 1, kjo për faktin se kompania që ka marrë pronësinë e kësaj piste, Capricorn, ka shënuar fitime financiare.

Presidenti i kësaj kompanie, Karsten Schumacher është shprehur optimist për të ardhmen e Nurburgringut, por shtoi se duhet treguar edhe shumë kujdes në administrimin e financave.

“E di që nuk ka asgjë më të mirë se organizimi i një gare në Formulën 1, por është e nevojshme që të menaxhohen mirë edhe rreziqet financiare. Gjithsesi, shenjat janë të mira për të ardhmen e kësaj piste”, tha Schumacher.

Në vitin 2015 Çmimi i Madh i Gjermanisë u përjashtua nga kalendari i Formulës 1 për shkak të vështirësive financiare të Nurburgringut. Këtë vit, kjo garë u përfshi sërish në kalendarin e këtij Botërori dhe ajo do të zhvillohet pikërisht në Hokenhajm, kjo falë edhe politikës së alternimit të cirkuiteve gjermane.

Çmimi i Madh i Gjermanisë në Formulën 1 është parashikuar të zhvillohet në datën 31 korrik.

Top Channel