Shkumbini, rekord prurjesh; 2.000 m3 në sekondë, mijëra hektarë nën ujë

07/01/2016 00:00

Drejtori i Përgjithshëm i Administrimit të Ujërave, Irfan Tareli thotë se strukturat e Ministrisë së Bujqësisë, Bordit të Kullimit dhe pushtetit lokal janë në terren dhe se hidrovorët kanë punuar me kapacitet të plotë me përjashtim të atij të Tërbufit, që pas një ndërprerjeje të energjisë për rreth 30 minuta, tani i është rikthyer punës normalisht.

“Ka pasur probleme sidomos me daljen e Erzenit nga shtrati, me prurje të jashtëzakonshme dhe kemi praktikisht 3 mijë hektarë sipërfaqe të përmbytur, që përfshin zonën e Katundit të Ri, zonën e Sukthit”, ka deklaruar Tareli.

Situatë kritike ka shkaktuar edhe lumi Shkumbin, ku dëmtimi i një argjinature ka shkaktuar përmbytje në zonën e Lushnjes.

“Është dëmtuar një argjinaturë dhe uji po përhapet në afërsi të brigjeve. Por po ndërhyhet nga Bordi i Kullimit në Lushnje për të mbyllur këtë argjinaturë sa më shpejt. Ka pasur një prurje prej 2.000 m3 për sekond, që është një prurje historike”, ka nënvizuar Tareli.

Drejtori i Administrimit të Ujërave thotë se po punohet me eficencë për të mbajtur hidrovoret në punë dhe për të lëvizur makinerit në zonat më problematike në vend. 

Top Channel