Deri në fund të javës së ardhshme, në Maqedoni pritet të zyrtarizohet qeveria kalimtare që duhet të krijojë kushte demokratike për mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare më 24 prill.

Por, megjithëse kanë mbetur pak ditë nga formimi i qeverisë së re, ende nuk bëhet e ditur se kush do ta zëvendësojë Nikolla Gruevskin. Analistët nuk presin ndryshime të mëdha në mënyrën e organizimit të zgjedhjeve në Maqedoni, meqë kryeministri i qeverisë teknike do të zgjidhet me propozim të partisë VMRO-DPMNE, që drejtohet nga Gruevski.

“Mendoj se edhe pas dorëheqjen së Gruevskit qeveria përsëri do të funksionojë nën ndikimin e fortë të tij dhe partisë VMRO-DPMNE. Për shqiptarët është e rëndësishme pastrimi i regjistrit zgjedhor nga votuesit fiktivë, që deri tani ka ndikuar që partitë shqiptare të humbin të paktën 10 deputetë. Por kjo është vështirë të ndodhë”, thotë gazetari Isen Saliu.

Largimi i Gruevskit nga posti i kryeministrit 3 muaj para mbajtjes së zgjedhjeve të parakohshme dhe formimi i qeverisë kalimtare parashikohet me marrëveshjen për zgjidhjen e krizës politike që u arrit verën e kaluar mes katër partive kryesore në Maqedoni.

Pjesë e qeverisë kalimtare janë edhe dy ministra dhe katër zëvendës ministra që u zgjodhën dy muaj më parë me propozim të partisë opozitare maqedonase, LSDM. Kryeministri Gruevski, ditë më parë paralajmëroi largimin e tij, por nuk tregoi se kush do ta zëvendësojë.

“Kush do të jetë njeriu që do të jetë në krye të qeverisë për organizimin e zgjedhjeve të parakohshme do të vendosë partia VMRO-DPMNE dhe emri i tij do të publikohet sapo të merret vendimi”, tha Gruevski.

Pas rreth 10 viteve në krye të qeverisë së Shkupit, Nikolla Gruevski pranoi të largohet nga post i tij pas publikimit të skandalit të përgjimeve, që shkaktoi krizë të thellë politike për shkak të dyshimeve për përfshirjen e tij dhe bashkëpunëtorëve të tij të afërt në krime të rënda. 

Top Channel