Situata e rënduar nga vërshimet në Malishevë

07/01/2016 00:00

“Një ditë pas daljes nga shtrati, lumi ‘Mirusha’ në qytetin e Malishevës ka nisur të normalizohet. Por rritja e nivelit të ujit në këtë lum ka lënë prapa dëme të konsiderueshme materiale”.

Forca e madhe e rrjedhës së lumit, jo vetëm e ka ndarë në dysh këtë urë, por u ka shkaktuar dëme bizneseve përreth shtratit të tij brenda qytetit të Malishevës.

Ndër më të prekurit, në këtë komunë janë banorët e fshatit Banjë, të cilëve uji u ka dëmtuar bodrumet e shtëpive, biznese, bagëti dhe sipërfaqe bujqësore.

Banorët përreth lumit qëndruan të bllokuar për më shumë se 7 orë, për shkak të sasisë së madhe të ujit.

“Vërshimet kanë filluar rreth orës 10:00, ndërsa nga ora 11:00 nuk kemi mundur më të dalim, deri në orën 19 të mbrëmjes. Unë isha në Senik, nuk kam mundur të futem në shtëpinë time. Të tjerët janë bllokuar në katin e dytë. Askush nuk ka mundur as të dalë, as të hyjë, sepse ka pasur shumë ujë, mbi një metër ka qenë”, tha Bajrush Begaj, banor i Banjës.

“Fillimisht pati pak ujë por për 5 ose 7 minuta u rrit së tepërmi. U mbush lokali dhe mbetëm mbi makina, nuk mund të dilnim”, tha Ardit Begaj, banor i Banjës.

Në anën tjetër, drejtori për Mbrojtjen dhe Shpëtimin në komunën e Malishevës bëri të ditur se, tashmë janë krijuar komisione, të cilat do të bëjnë vlerësimin e dëmeve.

“Që në mëngjes kemi nisur me ekipet tona emergjente, janë formuar tri komisione në bazë të sektorëve: komisioni për biznese, komisioni për bujqësinë dhe komisioni për amvisat. Tani gjendja në Malishevë është normalizuar, përjashtuar një pike në drejtim të Therandës, ku është ende problem të kalohet”, tha Ahmet Morina, drejtor për Mbrojtjen dhe Shpëtimin në komunën e Malishevës.

Në dalje të Malishevës ka mbetur një sasi  e madhe uji, e cila ka vështirësuar qarkullimin e automjeteve edhe një ditë pas vërshimeve.

Ndërsa banorët e dëmtuar nga përmbytjet mbeten në pritje të ekipeve të zjarrfikësve dhe ekipeve të angazhuara nga komuna e Malishevës, që t’iu vijnë në ndihmë.

“Desha t’i thërras edhe një herë zjarrfikësat. Dje i kam lajmëruar nëse mund të më ndihmojnë, më thanë kemi shumë kërkesa. Tani desha t’i thërras sërish, e kam ahurin plot ujë, të më ndihmojnë disi ta zbrazim”, tha Bajram Krasniqi, banor i Banjës.

Vërshime pati edhe në zona të tjera të Kosovës, si pasojë e daljes së lumenjve nga shtrati, si në Drenas, Suharekë, Shtime, Gjakovë e vende të tjera, ndërsa përmbytje kanë ndodhur edhe në “Rrugën e Kombit”.

Mirëpo Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës ka njoftuar se është përmirësuar situata e lumenjve, ku në të gjithë është regjistruar ulje e nivelit, përveç lumit Sitnisa në Nedakovc dhe Ibrit në Leposaviç. Më shumë reshje janë regjistruar në Pejë.

FOTO GALERI
1/7

Top Channel