Kosovë, Jahjaga viziton zonat më të prekura nga vërshimet

07/01/2016 00:00

Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga vizitoi sot komunën e Shtimës, njëra nga komunat më të prekura nga vërshimet e ditëve të fundit.

Fillimisht, Presidentja Jahjaga u prit nga kryetari i kësaj komune, Naim Ismajli, i cili e njoftoi me gjendjen e përgjithshme në komunë pas reshjeve të shtuara të ditëve të fundit, të cilat kanë shkaktuar mjaft dëme në shumë fshatra të Shtimës, si dhe për angazhimin e institucioneve komunale për t’iu ardhur në ndihmë banorëve të dëmtuar.

Më pas, Presidentja Jahjaga vizitoi fshatrat Davidovc, Rashincë e Muzeqinë, ku pa nga afër dëmet e shkaktuara nga vërshimet dhe bisedoi me banorët, shtëpitë dhe pronat e të cilëve kanë pësuar dëme nga vërshimet.

Në një deklaratë të bërë me këtë rast, Presidentja Jahjaga shprehet:

“Kam ardhur këtu që të vizitoj komunën e Shtimës, e së bashku me kryetarin që të jemi afër qytetarëve tanë. U njoftova nga afër nga kryetari i komunës për gjendjen e rënduar që ka qenë gjatë këtyre ditëve të fundit nga reshjet, për dëmet që janë shkaktuar në komunën e Shtimës. Gjatë ditës së djeshme kam folur në telefon edhe me kryetarin, por edhe me kryetarë të tjerë të komunave të Gjakovës, Lipjanit dhe komunave të tjera. Kam biseduar gjithashtu edhe me komandantin e Forcës së Sigurisë së Kosovës, për të vlerësuar nivelin e gatishmërisë së sektorit të emergjencave dhe të reagimit të shpejtë nga ana e FSK-së. Duhet të shohim së afërmi dhe të kemi një përkujdesje më të madhe ndaj qytetarëve tanë. Megjithatë kjo situatë po tregon edhe një mesazh tjetër, që ne duhet të kemi një kujdes më të madh në aspektin e ruajtjes së lumenjve tanë dhe veçanërisht të shtrateve të tyre”.

Top Channel