Përmbytjet në Shijak, Rama premton dëmshpërblim: Shkatërrimi, nga dora e njeriut

07/01/2016 00:00

Kryeministri Edi Rama, i shoqëruar nga ministri i Brendshëm, Saimir Tahiri, dhe drejtori i Emergjencave Civile, Shemsi Prençi, ka inspektuar nga afër situatën në Shijak, Sukth dhe Katund të Ri.

Duke folur me banorët, kryeministri Rama ka premtuar mbështetje nga qeveria.

“Si asnjëherë më përparë, ato përmbytje që ndodhën në fillim të vitit të kaluar ne i kemi dëmshpërblyer plotësisht, në të gjitha aspektet, edhe në bagëti, edhe për shpendët, edhe për prodhimin. Shtuar këtu faktin që kemi shlyer detyrimet e prapambetura nga qeveria e mëparshme, rreth 7 milionë euro, në ultësirën e Shkodrës. Megjithatë, sërish do të bëjmë çmos që të mbështesim të gjithë njerëzit në nevoje”, tha Rama.

Por nga ana tjetër, kreu i qeverisë ka theksuar se, e gjitha kjo është pasojë e një shkatërrimi, që i është bërë vendit ndër vite, si me shkatërrimin e pyjeve apo me ndërtimet.

“Mobilizimi i të gjithëve ka qenë maksimal, ashtu sikurse edhe efektiviteti. Nga ana tjetër, duhet të jemi të gjithë të vetëdijshëm, që këto janë faturat që i paguajmë dhe do të vazhdojmë t’ia paguajmë një zhvillimi kaotik, pa plan, pa rregulla, pa disiplinë, me ndërtime e projekte kuturu. Ne kemi bërë një punë të madhe në këtë periudhë dyvjeçare për pastrimin e kanaleve, kemi përsëri një projekt të madh që do ta financojmë me 25 milionë dollarë, në bashkëpunim me pushtetin vendor, për të pastruar të gjitha kanalet dytësore”, deklaroi më tej Rama.

Duke vënë theksin edhe njëherë te shkatërrimi i ardhur nga dora e njeriu, kryeministri Edi Rama kujtoi dhe njëherë moratoriumin për ndalimin e prerjes së pyjeve për 10 vite.

Top Channel