FSHF krijon klubin “Tifozët e Kombëtares”

07/01/2016 00:00

Federata Shqiptare e Futbollit ka krijuar fan club-in “Tifozët e Kombëtares”, i cili është prezantuar të enjten nga Sekretari i Përgjithshëm i FSHF-së, Ilir Shulku dhe ndihmëstrajnerët e Kombëtares, Paolo Tramezzani dhe Erion Bogdani.

Qëllimi i këtij fan club-i është që të krijohet një komunitet i njohur dhe i formalizuar me një organizim të posaçëm që sjellë një sërë avantazhesh dhe privilegjesh për anëtarët e tij.

Sipas FSHF-së, fan club-e të tilla ekzistojnë edhe në traditat me të mira të federatave dhe Kombëtareve të ekselencës si Gjermania, Italia, Franca, Anglia etj.

Me krijimin e “Tifozëve të Kombëtares” synohet që me tifozët të ndërtohen marrëdhënie më të mira, ndërsa anëtarët, të cilët do të pajisen me një kartë të veçantë, do të përfitojnë nga avantazhet dhe privilegjet si për shembull ofertat për produktet e ofruara nga federata dhe sponsorët zyrtarë të Kombëtares.

Anëtarësimi mund të bëhet në faqen zyrtare të FSHF-së, ndërsa do të ketë tri nivele anëtarësimi, anëtar i regjistruar, anëtar zyrtar si dhe anëtar gold.

Nëse ju jeni të anëtarësuar dhe keni kartën tuaj që është e pajisur me një “bar-cod” të veçantë dhe keni blerë biletën për një ndeshje të Kombëtares, atëherë në stadium do të hyni vetëm me këtë kartë.

Si fillim, ky klub do të jetë një entitet i brendshëm i FSHF-së, por më tej mund të marrë formë edhe si subjekt më vete, me organizim autonom, organ drejtues, një bord, etj.

Top Channel