Kërcënimi nga terrorizmi, BND: Më i madh se në vitin 2001

07/01/2016 00:00

Shërbimi Informativ gjerman (BND) ka pikturuar një tabllo të errët të kërcënimit nga terrorizmi islamik. Sipas burimeve qeveritare te cituara nga disa media gjermane, Shërbimi Informativ vlerëson në një analizë se gjendja për shtetet perëndimore është shumë më e rrezikshme se në 2001-shin, vitin e atentatëve në Nju Jork dhe në Uashington.

“Zona e destabilizimit” sipas analizës së BND-së është zhvendosur pranë Europës dhe numri i vullnetarëve për akte terroriste nga Perëndimi i kalon “të gjitha dimensionet e njohura”.

Militantët terroristë të Shtetit Islamik janë ndërkohë të pranishëm në 30 vende dhe, siç citon “DË”, kanë një interes të madh ndaj “Failed states” apo  shteteve të dështuara.

Ashtu si në rastin e Al-Qaedas më parë, Shteti Islamik kërkon tani një lufte të drejtpërdrejtë me Perëndimin. Këtë ndryshim strategjie milicia terroriste e deklaroi që në shtator. Në mënyrë të qëllimshme Shteti Islamik përpiqet me sulme të ndryshme “që ta përcjellë dhunën e tij në atdheun e forcave të armatosura që e luftojnë atë”.
 
“Ndryshe nga ajo që besohej gjerësisht se me ndihmën e atentatëve Shteti Islamik përpiqet ta mbajë Perëndimin larg një ndërhyrjeje ushtarake, ISIS po e pret me padurim një ndërhyrje të tillë”, thuhet në analizën e Shërbimeve Informative Gjermane.

Madje grupi po e nxit me forcë një ndërhyrje ushtarake në rajon. Në plan afatgjatë, BND zgjidhjen e problemit nuk e sheh vetëm tek angazhimi i ushtrisë por tek çrrënjosja e ideologjisë xhihadiste.

Top Channel