Sulmet në Këln, policia do rishqyrtojë taktikat

07/01/2016 00:00

Policia gjermane do të rishqyrtojë taktikat e saj pas sulmeve që shënjestruan gratë dhe vajzat në qytetin e Këlnit në naten e ndërrimit të viteve. Ralf Jaeger, minister i Brendshëm për Renin Verior-Vestfaline, tha se policia duhet të përmirësojë taktikat e saj, përballë faktit se gratë ishin bërë pre e sulmeve në masë.

Ai i kërkoi policisë të garantonte se ngjarje të tilla nuk do të përsëriteshin. Shume prej tyre raportuan se ishin plaçkitur apo ngacmuar seksualisht nga burra të cilët ngjanin si arabë apo afrikano-veriorë.

Zyrtari i lartë gjerman paralajmëroi gjithashtu se grupe kundër emigracionit po përpiqeshin të përdornin sulmet për të nxitur urrejtjen kundër refugjatëve. Identifikimi i agresorëve si afrikano-veriorë ose arabë shkaktoi alarm në Gjermani për shkak të numrit të madh të emigrantëve që hynë në vend në 2015, më shumë se 1 milion sipas të dhënave zyrtare.

Shumë prej tyre janë arratisur nga Siria e drobitur nga lufta. Lëvizja kundër islamit “Pegida” dhe partia e djathtë AFD nuk humbën rastin për të deklaruar se sulmet ishin pasojë e emigracionit masiv. Por, kryebashkiakja e Këlnit tha se nuk kishte arsye për të besuar se personat të cilët qëndronin pas sulmeve ishin refugjatë.

Më herët, ministri i Brendshëm gjerman, Tomas de Maizier kritikoi policinë për reagimin pas sulmeve në Këln. Rreth 1 mijë burra e djem u mblodhën në sheshin pranë stacionit qendror të trenave në vigjilie të Vitit te Ri, shumë prej të cilëve të dehur dhe agresiv.

Policia evakuoi fillimisht zonën për të parandaluar lëndimet nga fishekzjarret, por më pas bandat e të rinjve u rikthyen duke sulmuar e ngacmuar gratë e vajzat që gjendeshin atje, të pabezdisur nga autoritetet lokale.

Të mërkurën policia e Këlnit tha se kishin marrë 106 padi. Të paktën 3/4 e tyre ishin për sulme seksuale, përfshirë dy për përdhunime.

Top Channel