Platini tërhiqet nga Presidencialet e FIFA-s

07/01/2016 00:00

Michel Platini tërhiqet nga gara për Presidencën e FIFA-s, zgjedhjet e së cilës do të mbahen më 26 shkurt të këtij viti.

Lajmi është konfirmuar nga vet francezi, i cili është pezulluar për 8 vite për shkak të një pagese të marrë nga Sepp Blatter në vitin 2011.

“Nuk mundem, nuk kam as kohë dhe as mjetet e duhura, që të takoj persona dhe të garoj me kandidatët e tjerë. Tani do t’i kushtohem plotësisht mbrojtjes time”, ka deklaruar Platini për prestigjiozen franceze “L’equipe”.

Numri një i UEFA-s u pezullua nga Komiteti Etik i FIFA-s dhjetorin e kaluar, së bashku me Blatterin, për shkak të një pagese të pajustifikuar prej rreth 1,94 mln dollarësh të bërë mes tyre.

60-vjeçari Platini shpreson që Gjykata e Arbitrazhit Sportiv në Lozanë të vërë në vend drejtësinë dhe t’i rikthejë atij pafajësinë.

Top Channel