Përmbytjet në Çermë Proshkë, familja 17 anëtarëshe e ngujuar në shtëpi

07/01/2016 00:00

Në orët e para të ditës së enjte lumi “Shkumbin” ka dalë nga shtrati duke zaptuar qindra hektarë tokë. Niveli i ujit ka arritur kuotën maksimale të paparë ndonjëherë.

Rreth orës 02:00 të së enjtes është çarë argjinetura e “Shkumbinit” në Çermë ku 30 banesa në Thanasaj janë nën ujë, ndërsa 15 banesa të tjera janë përmbytur në fshatin Çermë Proshkë.

Nën kërcënimin e nivelit të ujit që sa vjen e rritej, ka qenë sot për disa orë edhe një familje në Çermë Proshkë. “Fiks Fare” ka sjellë rastin e një familjeje 17 anëtarëshe e cila ndodhet brenda në banesë, kati i parë i së cilës është nën ujë.

Banorët e kësaj familje, edhe pse janë njoftuar për t’u larguar, nuk i janë bindur thirrjeve të bëra nga Shtabi i Emergjencës. Bashkafshatrët e tyre tregojnë se iu janë bërë disa thirrje ndaj këtyre banorëve, por ata nuk janë bindur.

Por, kryefamiljari i saj, thotë se nuk ka marrë njoftim për t’u larguar.

“Kemi prej orës 12 të natës që jemi të përmbytur. Jemi 20 vetë në shtëpi dhe kati i parë është i përmbytur, po ngjitet drejt katit të dytë. Kemi lajmëruar të gjithë, por s’po bëjnë gjë”, thotë kryefamiljari.

Gjatë intervistës, një tjetër banore ndërhynë duke thënë se kryefamiljari duhet të nxirrtë jashtë familjkarët që mbrëmë.

“Të kishe dalë që mbrëmë nga shtëpia. Nuk më vjen keq për ty, por për fëmijët e vegjël”, thotë ajo.

“Tani do të kujdesen për fshatin apo do merren me ty. Duhet të kishit dalë që mbrëmë”, ndërhyn një tjetër banor.

Top Channel