Panariti: Të pastrojmë lumenjtë nga ndërtimet abuzive

07/01/2016 21:30

Ditët e para të këtij viti sollën edhe përmbytjet e para në vendin tonë. Reshjet e shiut të kësaj jave kanë vënë nën pushtetin e ujit qindra hektarë tokë në zonat e ulta.

Situata më problematike paraqitet përgjatë rrjedhës së Shkumbinit, ku çarja e argjinaturës së tij ka përmbytur zona të tëra në Lushnje. Po ashtu, e nderë paraqitet situata edhe në Shijak dhe disa fshatra të Durrësit.

Si po përballohet situata nga autoritetet përkatëse? A është vetëm moti i keq fajtor, apo edhe dora e njëriut?

Për t’ju përgjigjur këtyre, por edhe të tjera pyetjeve, në lidhje të drejtpërdrejtë nga zyra e tij, në Top Story-n e parë për këtë vit, ishte ministri i Bujqësisë, Edmond Panariti.

Panariti nisi fjalën e tij duke deklaruar se përmbytjet ishin paralajmëruar edhe nga institucione dhe organizata serioze ndërkombëtare që e kanë vendosur Shqipërinë në vendin me riskun më të lartë në Europë sa u përket stuhive dhe përmbytjeve.

Megjithatë, Panariti tha se nuk bëhet fjalë vetëm për reshje të mëdha shiu, por edhe për pasojat e abuzimit dhe ndërtimit pa kriter mbi shtretërit e lumenjve apo kanalet kulluese. Ai tha se përveç punës me hidrovoret dhe kanalet kulluese kërkohet edhe një ndërhyrje më fort drastike, ndoshta me kosto sociale dhe politike.

“Duhet t’i japim një zgjidhje kësaj situate. Duhet të shpërngulim banorët që kanë ndërtuar mbi shtresat e lumenjve. Duhet të çlirojmë shtretërit e lumenjve nga banesat. Kjo ka kosto sociale dhe politike, por duhet bërë. Krahas punës tjetër të bërë me kanalizimet dhe hidrovoret duhet bërë edhe kjo. Kjo është një zgjidhje jo fort popullore, por që duhet bërë”, tha Panariti.

Ministri bëri me dije se do të hetohet mundësia që përmbytjet të jenë përshkallëzuar edhe nga ndonjë hapje portash abuzive e HEC-eve private.

Top Channel