Drejtësia, mbyllet drafti pa PD. Lu, 3 orë takim me Metën; Nishani: Konsensus politik

07/01/2016 00:00

Bujar Nishani është rreshtuar në krah të atyre, të cilët kërkojnë që reforma në drejtësi të kalojë përmes konsesusit politik dhe më pas të jenë ekspertët, që do të shndërrojnë në nene teknike ndryshimet e sugjeruara nga Komisioni i Venecias.

Presidenti i Republikës zgjodhi pritjen me përfaqësuesit e medias për të treguar gatishmërinë e tij për të koordinuar takimin mes përfaqësuesve më të lartë politikë.

“Reforma në sistemin e drejtësisë nuk mund të jetë shprehje vullneti përmes retorikash. Unë vazhdoj të besoj se, vullneti i shprehur i të gjithë aktorëve, posaçërisht atyre politikë, është serioz. Por ky vullnet, tashmë duhet të ketë një produkt. Duhet të prodhojë një mekanizëm, i cili duhet të nxjerrë jashtë sistemit njëherë e përgjithmonë prokurorët dhe gjyqtarët e korruptuar e të paaftë, si dhe të shkallmojë nga themeli piramidën e administratorëve të korruptuar, të nëpunësve zhvatës të pasurive publike, që u zënë rrugën mundësive për zhvillim të shqiptarëve. Që ky mekanizëm të mund të jetë i tillë, duhet garantuar ndërtimi i tij tërësisht jashtë ndikimit dhe kapjes politike. Nëse ky proces nuk do ta prodhojë këtë mekanizëm, e ardhmja jonë do vazhdojë të mbetet peng i korrupsionit dhe krimit. Pas mendimeve tashmë të qarta të Komisionit të Venecias, përgjegjësia e vijimit të procesit mbetet te udhëheqësia politike në vend, që duhet të përcaktojë zyrtarisht piketat, ku duhet të kalojë ky proces pa devijuar. Ndaj i ftoj të gjithë ata, të ulen në një tryezë koordinimi, për t’i lënë më pas hapësirën ekspertëve, që ta jetësojnë vullnetin e tyre politik. Shpreh me këtë rast, gatishmërinë e institucionit të Presidentit të Republikës për të dhënë ndihmesën e nevojshme koordinuese mes palëve në këtë problematikë”, tha Presidenti Bujar Nishani.

Kërkesa për konsensus politik vjen nga dy anë, nga Partia Demokratike dhe ministri i Drejtësisë. Opozita, prej dy ditësh nuk shkon në tryezën e ekspertëve, që kur ata nuk i pranuan demokratëve propozimin për të ndryshuar shumicën, që zgjedh disa nga anëtarët e Gjykatës Kushtetuese.

Opozita thotë se, për të shkuar përpara sipas rekomandimeve të Komisionit të Venecias, duhet gjetur konsesusi politik. Një kërkesë, që është diskutuar ndërkohë edhe me ambasadorin e Shteteve të Bashkuara të Amerikës, të cilit i është shprehur gatishmëria dhe vullneti për të pranuar bisedime në çdo nivel politik.

Me këtë qëndrim të prerë të opozitës, ambasadori amerikan ka takuar Ilir Metën në orën 15 dhe ka thyer çdo rekord të një takimi të ngjashëm. Ata kanë biseduar së bashku rreth 3 orë, aq sa kryeministri Rama ka zbritur në Rinas, ka vizituar disa zona të përmbytura dhe ka shkuar në zyrë në pritje të një takimi me ambasadorin amerikan, të cilin e ka njoftuar edhe për mbërritjen e tij në Tiranë.

Ndërkohë, nëse takimi triorësh i ambasadorit Lu me Ilir Metën ka prodhuar apo jo diçka, kjo do të kuptohet më vonë. Tani për tani, vetëm një gjë dihet me siguri: se përfaqësuesi i LSI-së në qeveri, ministri i Drejtësisë, Ylli Manjani mbron tezën e konsensusit politik, duke u kërkuar politikanëve të mos fshihen pas eskpertëve.

Dhe, ndërkohë që Ylli Manjani dhe opozita kanë të njëjtin qëndrim për mënyrën sesi duhet çuar përpara reforma, puna e ekspertëve ka përfunduar. Ekspertët e nivelit të lartë e mbyllën draftin rreth orës 20 të mbrëmjes, pa praninë e ekspertëve të opozitës, dhe pritet që ta dorëzojnë brenda javës në Komisionin e posaçëm të Reformës për Drejtësinë.

Top Channel