Masakra në Shelegur, Dade ngre padi në Korçë

07/01/2016 00:00

Disa ditë më parë, “Fiks Fare” solli në vëmendje masakrën që po bëhet nga dora e njeriut në rezervatin e Shelegurit në Gërmenj, që po zhvesheshet dalëngadalë nga kurorat me bredha dhe pisha.

Edhe pse në fuqi është një moratorium 10-vjeçar që ndalon 100% prerjet e lëndës drusore për eksport,  kamerat e “Fiks Fare” kishin filmuar kamionët e ngarkuar me lëndë drusore që dalin vazhdimisht nga kjo zonë të pashqetësuar nga askush dhe për më tepër pa asnjë vulë të drejtorisë pyjore përkatëse.

Por, i menjëhershëm ka qenë reagimi i deputetes së Ersekës, Arta Dade, që ka ardhur në redaksinë e emisionit “Fik Fare” për të falenderuar gazetarët dhe Top Channel që vunë në pah masakrën që po bëhet në rezervatin e Shelegurit.

“Do të nisem për në Korçë sepse dua ta dërgoj diskun e investigimit pranë Prokurorisë. Shpresoj dhe besoj fuqishëm që përmes emisionit tuaj është e mjaftueshme që Prokuroria të nisë çështjen penale. Unë do të ngre një padi penale për shefin e zyrës të drejtorisë pyjore, për nivelin tjetër që është drejtoria e qarkut dhe për Sekretarin e Përgjithshëm të Ministrisë së Mjedisit”, deklaroi deputetja e PS-së, Arta Dade.

Ajo gjithashtu ka thënë se banorët e kanë njoftuar se kjo parcelë e Shelegurit ishte dhënë me ankand për t’u prerë nga autoritetet shtetërore dhe madje ishin caktuar ata që do të fitonin ankandin.

Dade u shpreh se pas shqetësimit të qytetarëve ka njoftuar autoritetet më të larta të shtetit, duke filluar me zv.kryeministrin Niko Peleshi, pastaj ministrin e Brendshëm dhe kryetarin e Komisionit për Çeshtje dhe Veprimtari prodhuese, zotin Shalsi.

Top Channel