Mes përmbytjeve dhe thatësirës

08/01/2016 00:00

Tashmë të gjithë e njohin fenomenin “El Nino” që ka pushtuar çdo anë të globit duke dhënë efektin e tij më të madh veçanërisht këtë dimër. Deri më tani masat më të forta të “El Nino” i ka përjetuar hemisfera perëndimore.

Në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, pritet që edhe javët e ardhshme të kenë të njëjtën dendësi shirash në pjesën jugore, e ndërsa veriu i vendit do të mbetet i thatë. Los Anxhelos është përmbytur, e teksa stuhitë tani janë zhvendosur drejt Kalifornisë. Shërbimet meteorologjike u kanë bërë thirrje njerëzve që të mos dalin nga shtëpitë e tyre pasi ka rrezik.

Po ashtu edhe Europa është mbërthyer nga një mot i rrezikshëm, por jo aq sa Shtetet e Bashkuara të Amerikës. Pjesa më e madhe e  Francës, Italia, Britania, Gjermania dhe Ballkani, janë përballur me një intensitet të lartë reshjesh këto ditë. Mot i cili është parashikuar të shoqërojë gjithë muajin janar.

Shirat në këtë periudhe nuk janë të pazakonta për Europën, por sipas ekspertëve, njerëzit duhet të jenë të kujdesshëm teksa janë të ekspozuar ndaj rreziqeve meteorologjike, e kryesisht kur drejtojnë automjetet.

Ndërkohë që krejt ndryshe paraqitet situata në anën tjetër të botës. “El nino” ka krijuar një thatësirë të madhe në Hauai, në Afrikë, si edhe ne verilindje të Brazilit dhe Kolumbisë. Fenomeni periodik që ndikon në ngritjen e temperaturave globale e trazon kushtet meteorologjike, bëri që 2015-ta të hynte në rekord si një nga vitet më të ngrohta.

Top Channel