NBA, kthehet Bryant, por Lakers humbet (Video)

08/01/2016 10:45

Los Angeles Lakers nuk ia del dot mbanë në ndeshjen e saj të radhës në NBA kundër Sacramento Kings, edhe pse në parket ishte Kobe Bryant. Skuadra kaliforniane e humbi ndeshjen e zhvilluar në “Sleep Train Arena” 115-118, edhe pse ylli i saj shkëlqeu.

Kobe Bryant, i cili mungoi në ndeshjet e kaluara për shkak të problemeve në shpatullën e djathë, e mbylli sfidën me 28 pikë (10/18). Por këto shifra nuk e ndihmuan aspak Lakers që të evitonte këtë disfatë ndaj Sacramentos, ku ai që u dallua ishte DeMarcus Cousins, me 29 pikë dhe 10 topa në tabelë. Për Sacramenton kjo ishte fitorja e 15 sezonale, ndërsa kalifornianët regjistruan humbjen e 29.

Chicago Bulls nuk e pati shumë të vështirë sfidën me Boston Celtics. Në “United Center”, skuadra e Bulls arriti të fitojë sfidën 101-92, ku spikatën të zakonshmit Butler me 19 pikë, Rose me 18 dhe Pau Gasol me 17 pikë e 18 topa në tabelë. Ky ishte suksesi i gjashtë radhazi për Chicago Bulls, që e ruan ende vendin e dytë në Konferencën e Lindjes me 22 fitore dhe 12 humbje, ndërkohë që në krye është Cleveland Cavaliers me 24 fitore dhe 9 humbje.

Në ndeshjet e tjera të NBA, Atlanta Hawks fitoi me shumë lehtësi ndaj Philadelfia 76ers 126-98, ndërsa Houston Rockets mundi Utah Jazz me rezultatin 104-93.

Top Channel