Qeveria e Kosovës rrit pensionet

08/01/2016 12:35

Qeveria e Kosovës ka marrë vendim që të rrisë pensionet e kontributdhënësve, duke ua njohur përvojën e punës edhe atyre që gjatë luftës u kanë humbur dokumentet e përvojës së punës. 

Sipas vendimit të qeverisë, të gjithë punëtorët që kanë përvojë mbi 15 vjet para vitit 1999, do t’u njihet automatikisht përvoja si 25-vjeçare.
 
Ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale, Arban Abrashi bëri të ditur se me këtë vendim të qeverisë pensionet bazë, që deri tani kanë qenë 140 euro, do të rriten në 158 euro. 
 
Ndërsa kryeministri Isa Mustafa tha se rritja e pensioneve të kontributdhënësve do të ndryshojë edhe prej kualifikimit që kanë pasur punëtorët kur kanë punuar.
 
“Mbi këtë 158 euro mbetet që pastaj të hartohen edhe të qartësohen kriteret nga komisioni lidhur me efektet që do t’i ketë kualifikimin në pensionet kontributdhënëse. Çfarë efekti do të ketë ai që ka shkollën e lartë, ai që ka fakultetin ose kualifikime tjera mbi fakultetin”, tha Mustafa.
 
Me këtë vendim të qeverisë nuk u nda e kënaqur ministrja e dialogut Edita Tahiri, e cila kërkoi nga ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale të sqarojë se çfarë do të ndodhë me përvojën e punës për punëtorët që kanë punuar gjatë kohës së okupimit në vitet ’90: “Si do të zgjidhet çështja e të gjithë punonjësve të cilët kanë punuar në institucionet e Kosovës në kohën e okupimit, çështja e 10 vjet kontribut pune. Pra, pensionet a e përfshijnë këtë kontribut, se ky për mua është kontributi më i madh për shtetin që është bërë në kohën e okupimit”.
 
Ministri Abrashi u përgjigj: “Realisht, kjo ngritje nuk e prek përvojën e punës në institucionet tona gjatë viteve ‘90. Ideja është që ne të themelojmë një komision që do të bëjë verifikimin e të gjithë atyre që kanë punuar gjatë viteve ’90, qoftë në sistemin arsimor, qoftë në sistemin shëndetësor, qoftë edhe në sisteme të tjera”.
 
Në fund të mbledhjes së qeverisë, kryeministri Mustafa bëri të ditur se të hënën institucionet e Kosovës do të prezantojnë përfundimin edhe të kërkesave të fundit të Bashkimit Evropian për liberalizimin e vizave.

Top Channel