Prishtinë, policia arreston 7 persona për “fajde”

08/01/2016 13:00

Policia e Kosovës ka dhënë disa detaje të aksionit, që u krye këtë të premte nën dyshimet për veprën penale të “fajdes”.

Sipas një komunikate për shtyp të policisë, pas hetimeve disa mujore, me urdhër të gjykatës kompetente, sot më 8 janar në orët e para të mëngjesit, është realizuar një operacion policor në rajonin e Prishtinës.

Gjatë realizimit të tij janë kontrolluar 6 shtëpi në Prishtinë, një në fshatin Barilevë dhe një në Lipjan.

Policia ka arrestuar 7 persona nën dyshimin e bazuar për kryerjen e veprave penale të “fajdes” dhe “detyrimit”, të cilët janë identifikuar me inicialet: B. A. (i lindur më 1979), R. S. (1971), E. A. (1981), A. N. (1983), I. M. (1981), N. S. (1975) dhe B. A. (1987).

Gjatë realizimit të operacionit janë sekuestruar rreth 10 mijë euro parà “cash”, dokumente, shënime të ndryshme në lidhje me huadhëniet me interes të paligjshme, telefona dhe prova të tjera të lidhura me rastin.

Gjithashtu, gjatë operacionit, në vendndodhje të ndryshme janë gjetur edhe armë e municione, njofton policia.

Pas përfundimit të operacionit policor, me urdhër të prokurorit kompetent, 7 personave të dyshuar u është caktuar masa e ndalimit prej 48 orësh, e nevojshme për vazhdimin e procedurave të mëtejshme ligjore.

Top Channel