Partia Demokratike akuzoi Partinë Socialiste se po u ikën vjedhurazi rekomandimeve të Komisionit të Venecias duke hartuar një draft që nuk përputhet dhe nuk pasqyron ato.

Lulzim Basha tha se pavarësisht deklaratave të bëra në publik se nuk ka asnjë draft, maxhoranca e ka hedhur atë në tryezë më 29 dhjetor dhe sipas tij nuk reflekton rekomandimet e Venecias.

“Kam bërë një ftesë publike për Ramën dhe Metën që të punojmë mbi rekomandimet e Venecias si udhërrëfyes. Deri më tani ka patur vetëm retorikë dhe asnjë veprim në këtë drejtim. Përkundrazi, ka patur veprime që bien ndesh me rekomandimet e Venecias dhe zotimin publik të maxhorancës, siç ishte drafti parafabrikat i 29 dhjetorit, një përpjekje tinëzare e Edi Ramës”, tha Basha.

Kreu i demokratëve kërkoi një përgjigjie të qartë nga kryeministri Rama sa u përket rekomandimeve.

“Më 4 janar tryeza ra dakort dhe tha që nuk ka draft tjetër, por sërish maxhoranca ka shpërndarë një draft ku nuk reflektohen rekomandimet e Venecias. Në këto kushte Rama duhet të përgjigjet; t’i japë “Po” ose “Jo” Venecias. Ai mund të jetë draft i PS, i Fatmir Xhafës, por nuk është një produkt konsensual”, deklaroi kreu i PD.

Basha theksoi se Partia Demokratike nuk do të pranojë asnjë draft që nuk pasqyron rekomandimet e Venecias, ndërsa lidhur me deklaratën e Presidentit të Republikës, dhënë një ditë më parë, u shpreh i gatshëm për të mbështetur çdo nismë të kreut të shtetit në këtë drejtim.

“Mirëpres cdo nismë të presidentit për të ndihmuar në transparencën e procesit për të parë qartë se kush ka vullnet dhe kush jo. PD ka vullnet të çeliktë për reformën në drejtësi, ashtu siç ka vullnet të çeliktë edhe për moskapjen e drejtësisë”, tha ai.

Top Channel