Incidentet e Këlnit, Merkel: Deportim të huajve të dënuar për krime të ndryshme

08/01/2016 00:00

Kancelarja Angela Merkel reagoi pas incidenteve të Këlnit duke thënë se Gjermania duhet të rishikojë mundësinë e deportimit të të huajve të dënuar për krime të ndryshme.

Atyre që nuk janë të përgatitur t`i binden ligjeve të vendit, u janë dërguar sinjale të qartë deklaroi prerë shefja e ekzekutivit gjerman. Pas sulmeve thuhet se qëndrojnë banda të rinj me tipare arabe dhe afrikano-veriore, ndërsa incidente të ngjashme raportohet të ketë pasur mbrëmjen e ndërrimit të viteve edhe në Finlandë e Zvicër.

“Ajo çfarë ndodhi natën e Vitit të Ri është e papranueshme. Këto janë veprime kriminale të neveritshme të cilat Gjermania a cilido shtet tjetër nuk mund t`i pranojë. Ndjesia se femrat kanë mbetur në këtë rast në mëshirën e njerëzve pa kurrfarë mbrojtje, është e patolerueshme edhe për mua personalisht. Prandaj është e rëndësishme që gjithë çfarë ndodhi atje, të diskutohet në tryezë. Duhet të shqyrtojmë gjërat me kujdes e të shohim nëse kemi bërë çfarë është e nevojshme në raport me deportimet nga Gjermania, në mënyrë që t`u dërgojmë një sinjal të qartë atyre që nuk janë të gatshëm t`i binden rendit ligjor”, tha Merkel.

Identifikimi i agresorëve si afrikano-veriore apo arabë ka shkaktuar alarm në Gjermaninë e përballur vitin që shkoi me një fluks emigrantësh dhe refugjatesh qe llogaritet ne me shume se 1 milionë.

Shifrat e publikuara nga autoritetet atje tregojne se numri i qytetarëve nga Shqipëria të cilët kërkuan azil në Gjermani gjatë 2015-tes ishte 54,762 persona, çka e rendit si vendin e dyte te origjinës me më shumë azilkërkues, pas Sirisë. Në vend të tretë vjen  Kosova me 37,095 qytetarë të saj qe kërkuan të qëndronin në Gjermani. 

Mes 10 vendeve kryesore të origjinës së emigrantëve, 4 prej tyre janë nga Ballkani, ku përveç Shqipërisë dhe Kosovës, kërkesa për azil ka patur edhe nga Serbia (26,945) dhe Maqedonia (12.166).

Top Channel