Militanti i ISIS vret nënën, i kërkoi të largohej nga ekstremistët

08/01/2016 00:00

Aktivistët në Raqqa thonë se një militant i ISIS-it ka ekzekutuar nënën e tij në publik për shkak se i kishte kërkuar të largohej nga radhët e grupit ekstremist.

Dëshmitarë okulare rrëfejnë se e kanë parë 21-vjeçarin Ali Saqr të vrasë të ëmën 45 vjeçe, Lena al-Qasem përpara një zyre postare të atij që konsiderohet si kryeqyteti ‘de facto’ i Shtetit Islamik.

Organizata e dhunshme nuk toleron disidentët, ndëshkimet e të cilëve janë brutale e shpeshherë kryhen në publik. Sipas grupit monitorues me seli në Londër, Observatori Sirian për të drejtat e njeriut, si dhe lëvizjes së aktivistëve “Raqqaja po masakrohet në heshtje”, Lena al Qasem i ka thënë të birit se aleanca ushtarake e drejtuar nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës do ta zhdukë ISIS-in nga faqja e dheut e është përpjekur ta bindë 21-vjeçarin të largohej nga qyteti së bashku me të.

Djali thuhet të ketë informuar grupin për këto komente të nënës, e drejtuesit e tij i dhanë menjëherë urdhër ta vrasë.

Top Channel